Greqi, Laos kundërshton ligjin e shtetësisë
Autori i Lajmit: RedaksiaAthinë – Kryetari i Alarmit Ortodoks Popullor (LAOS), Jorgos Karaxhaferis, i bëri akuza të forta ligjit që u siguron nënshtetësi greke dhe të drejtë vote fëmijëve të emigrantëve shqiptarë gjatë seancës parlamentare ku u miratua buxheti i vitit 2010. Ai kritikoi në mënyrë të ashpër qeverinë për dhënien e shtetësisë brezit të dytë të emigrantëve dhe për të drejtën e votës tek ata, ndërsa foli për përgjegjësinë e të dy partive që qeverisën vendin. Karaxhaferis vuri në dyshim mundësinë e qeverisë për të reduktuar deficitin dhe theksoi se dyshon në rezultatin e masave të shtabit ekonomik të qeverisë së sotme për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Buxheti 2010
Parlamenti arriti të miratonte buxhetin e 2010 mes krizës së madhe që ka përfshirë vendin. Ky buxhet synon të reduktojë deficitin publik si hap i parë drejt lehtësimit të borxheve të mëdha që ka vendi si pasojë e krizës financiare. Nga 299 deputetë që ishin prezent (deputeti i D.Re, Dhimitris Avramopulos, nuk votoi, sepse gjendej jashtë shtetit) me 160 vota pro dhe 139 vota kundër, u votua buxheti i shtetit për vitin 2010. Për buxhetin e presidencës së Republikës votuan pro 250 deputetë. Përpara votimit të buxhetit folën kryetarët e partive që përfaqësohen në Parlament si edhe ministra e deputetë të qeverisë, të cilët theksuan se rimëkëmbja e ekonomisë është një “objektiv kombëtar”. Në fjalën e tij, kryeministri Jorgos Papandreu tha se tre parimet bazë të buxhetit janë: transparenca, shpërblimi dhe sistemi i drejtë fiskal dhe foli për përgjegjësitë që mban qeveria e mëparshme për problemet financiare të vendit. Z.Papandreu theksoi gjithashtu, se objektivi i buxhetit për vitin 2010 është rifitimi i besimit të humbur si të vendit tek partnerët evropianë dhe tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe të rifitimit të besimit ndaj shtetit tek qytetarët. Kryeministri përsëriti angazhimin e qeverisë për reduktimin e deficitit rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), përmbajtje të borxhit shtetëror, duke mbështetur paralelisht krijimin e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve, zhvillimin e Arsimit dhe Shëndetësinë. Kreu i qeverisë, duke komentuar fjalimin e kryetarit të DRe-së, Andoni Samaras, tha se qeveria e sotme ka si kusht të saj sinqeritetin dhe transparencën dhe kërkoi të marrin të gjithë përgjegjësinë që u takon me sinqeritet për drejtimin e shtetit, të partive të tyre dhe të shoqërisë. Ai tha gjithashtu se partia më e madhe e opozitës kur ishte në qeverisjen e vendit e çoi atë “një hap përpara shkatërrimit”, ndërsa përsëriti së DRë “braktisi anijen” në momentin e fundit, kur kishte aplikuar një model të gabuar të zhvillimit të vendit dhe shtoi se nuk mund të kërkojë nga qeveria e sotme të bëjë veprime të përkohshme, për të mbuluar gabimet e qeverisë se kaluar. Kryetari i partisë Demokracia e Re (DRe), Andonis Samaras, në fjalimin e tij për buxhetin e shtetit, foli midis të tjerash për dy shkolla mendimi brenda PASOK-ut, ku secila prej tyre shikon vetëm një anë të problemeve dhe parashikoi rreziqe për ekonominë. Paralelisht, z.Samaras pranoi se qeveria e kaluar bëri gabime, paraqiti disa propozime për daljen nga kriza ekonomike dhe përsëriti se PASOK-u do të ketë pranë DRe-në në vendimet e tij të drejta.
Kundërshtime të forta reformës ekonomike
Buxheti hasi në shumë kritika të partive të opozitës, që argumentojnë se plani ekonomik i qeverisë nuk është aq i fortë sa duhet për të lehtësuar borxhet. Një nga masat që duhej përfshirë sipas tyre, ishte ulja e pagave. Sekretarja e PK Greke (KKE), Aleka Papariga, në fjalën e saj akuzoi qeverinë për përpjekjen e saj, që të mashtrojë popullin për arsyet e krizës, por edhe për mënyrat e përballimit të saj dhe shtoi se përpara zgjedhjeve KKE kishte theksuar dhe tani konfirmohet plotësisht, se PASOK-u dhe DRe-ja kanë të njëjtën strategji, thjesht ndryshojnë në taktikat e tyre. Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të Koalicionit të së Majtës Radikale, Aleksi Cipra, krahasoi gjendjen e ekonomisë greke me rrugën nacionale pas rrëshqitjes në zonën e Tembit, që e ndau Greqinë në dy pjesë dhe kërkoi mbështetjen e punësimit dhe përballimin e dobësive strukturore të ekonomisë greke.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009