SHBA-Kinë, rinisin bisedimet mbi të drejtat e njeriut
Pas një bllokimi prej dy vjetësh Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Popullore e Kinës kanë nisur sërish bisedimet mbi çështjet e të drejtave të njeriut. Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se bisedimet do të rinisin brenda dy ditësh në Uashington. Ato do të mbahen me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve dhe temë e diskutimit do të jenë edhe lirite fetare dhe liria e internetit. Bisedimet mes Uashingtonit dhe Pekinit ishin ndërprerë pas përplasjeve mes dy superfuqive botërore mbi çështjet e Tibetit, Tajvanit dhe të valutës kineze. Ndërkaq sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, ka deklaruar se çdo lloj procesi pajtimi mes qeverisë afgane dhe talebanëve, nuk duhet të bëhet në kurriz të të drejtave të grave.
Clinton është takuar, të enjten në Uashington, me një delegacion femrash afgane, në poste të larta zyrtare, disa prej të cilave ministre. Clinton i premtoi delegacionit afgan më shumë ndihmë për shkollimin e vajzave, shëndetin e nënës, mbrojtjen e grave nga dhuna si dhe për forcimin e rolit të femrës në bujqësi dhe në ekonomi.