SHBA: Lëshimi i raketës në Iran, është një provokim
Autoritetet amerikane e kanë cilësuar një provokim lëshimin e raketës nga qeveria iraniane. Këtë pohim e dha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Bill Burton.
"Lëshimi i raketës është një akt i pastër provokativ, por presidenti ka besim se ende nuk është vonë për Iranin që të bëjë një kthesë në veprimet e tij."- pohoi zëdhënësi Burton.
Fuqitë e mëdha të Perëndimit i tremben faktit se Irani është duke ndërtuar armë të shkatërrimit në masë me anë të një teknologjie të ndaluar. Ndërsa autoritetet iraniane janë përgjigjur se ky projekt po përdoret për të gjeneruar elektricitet të lirë dhe pa harxhime të mëdha. Presidenti Mahmoud Ahmadinejad tha se Irani nuk do ta kishte problem që t'i japte Perëndimit uraniumin e pasuruar në shkallë të ulët, dhe ta marrë prapë disa muaj më vonë kur ai të pasurohet për 20 %.
Gjenerali amerikan David Petraeus u shpreh se i trembej ndonjë manovre më të rrezikshme nga ana e autoriteteve iraniane për sa i përket aktivizimit të ndonjë pajisjeje të përbërë me fuqi bërthamore.