SHBA-Meksikë, marrëveshje për naftën

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë rënë dakord për të punuar së bashku për nxjerrjen e naftës dhe gazit në kufirin detar të Gjirit të Meksikës.
Marrëveshja u nënshkrua në një takim të grupit G20, ku marrin pjesë vendet më të industrializuara, të mbajtur në lokalitetin meksikan Los Kabos.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi se do të garantojë zhvillimin me përgjegjshmëri të operacioneve eksploruese.
Ndërsa presidenti meksikan Felipe Calderon tha se marrëveshja do të heqë frikën e meksikanëve se nafta e tyre do të përvetësohet nga Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja, e negociuar vitin e kaluar, u nënshkrua mes zonjës Clinton dhe ministres së Jashtme meksikane Patricia Espinosa, në prani të presidentit Calderon.
Ajo i jep fund një moratoriumi për kërkimin e naftës në kufirin detar dhe i hap rrugën kompanive që të bëjnë kërkime të përbashkëta në zonat ku dyshohet se ka naftë.