Shtyhen për nesër bisedimet Kosovë-Serbi

Është shtyrë raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë i parashikuar të mbahej të martën. Ndërmjetësuesi Robert Cooper ka bërë të ditur se në takim ishte parashikuar të diskutohej edhe për përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale, por thuhet se për shkak të disa keqkuptimeve teknike, Kosova nuk është e gatshme të jetë pjesë e takimit.
Ndërkaq, shefi i ekipit serb Borko Stefanoviç ka thënë se në takim do të shkojë me pesë propozime për Kosovën se si mund të përfaqësohet në nisma rajonale. Takimi pritet të mbahet të mërkurën.
Së fundmi, qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë rënë dakort që Kosova të përfaqësohet me një mbishkrim, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë – çfarë ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare.
Shteti serb ka përsëritur se 1244-shi i OKB-së dhe mendimi i GJND-së janë të pranueshëm, por pa iu referuar Deklaratës së Pavarësisë.
Ndërmjetësi evropian, Robert Kuper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, duke thënë se një gjë e tillë është ekstremisht e rëndësishme.
Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në mars të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.
Palët kanë rënë dakort për disa marrëveshje, ndërsa e fundit është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, e cila është arritur në fund të vitit të kaluar, përkatësisht në raundin e tetë të bisedimeve.