E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi në Kandahar, Nëntetar Peçi niset drejt Gjermanisë

Pritet të dërgohet sot drejt Gjermanisë nëntetari Aleksandër Peçi i cili u plagos ditën e djeshme gjatë një sulmi të papritur ndaj njësisë amerikano shqiptare në Kandahar ku ai bënte pjesë. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura bëri të ditur se sipas raportit të dhënë nga Përfaqësuesi i FA në Shtabin e operacionit ISAF në Afganistan rezulton se nëntetar Aleksandër Peçi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan dhe po përgatitet që për pak orë të dërgohet në Gjermani.
 

Sipas Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura gjendja e tij shëndetësore pas operacionit paraqitet e rëndë, por e stabilizuar.
Mjekët konfirmojnë se Nëntetar Aleksandër Peçi, me gjithë plagët e marra, ka shpresa të shumta për të mbijetuar, gjë që i ka bërë ata të japin autorizimin për transferimin e të plagosurit në një spital të specializuar në Gjermani.
 

Ndërkohë si pasojë e këtij sulmi të papritur nga 11 policë afganë drejt komandove tona në Kandahar kanë mbetur i vrarë komandanti i grupit të komandove shqiptarë Feti Vogli, 31 vjeç nga fshati Shpat i komunës Baldushk në Tiranë.

Presidenti Bamir Topi e quajti “një akt të rëndë terrorist” sulmin ndaj komandove shqiptare duke kërkuar ndëshkimin e autorëve e “duke inkurajuar dhe përgëzuar Forcat e Armatosura shqiptare për përmbushjen e misionit të tyre të guximshëm e vetëmohues”.

Kreu i shtetit ka zhvilluar gjithashtu edhe një takim me drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare, për t`u njohur me rrethanat e sulmit. Ai ka patur nje bisedë telefonike edhe me komandantin e kontingjentit shqiptar në Afganistan gjatë së cilës ka theksuar se “profesionalizmi dhe trimëria e ushtarakëve i bën krenarë të gjthë” e duke i siguruar ata se “në këto momente të vështira, gëzojnë gjithë mbështetjen e popullit shqiptar”.

Për “një sulm të pabesë” është folur në takimin që kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Ministrinë e Mbrojtjes me ministrin Arben Imami dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare Xhemal Gjunkshi. Kryeministri gjithashtu i dërgoi mesazh ngushëllimi familjes së oficerit që humbi jetën duke nënvizuar se“shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij”. Berisha konfirmoi se trupat shqiptare “do të përmbushin me sukses të gjitha detyrimet e misionit të tyre historik dhe se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë mision”.


Ushtarakët shqiptarë ndodheshin në fshatin Rabat duke shoqëruar dhe siguruar një mision të USAID-it i cili po zhvillonte një takim për të parë mundësitë e ndërtimit të dy shkollave dhe një qendre shëndetësore atje. Papritur dhe në rrethana ende të paqarta, ata janë gjetur nën breshërinë e armëve. Të paktën 5 automatikë dhe në mitraloz i lehtë kanë qëlluar drejt tyre, duke plagosur rëndë dy ushtarakët shqiptarë si dhe një pjestar të forcave amerikane, të cilët janë dërguar menjëherë në spital. Nënoficeri Feti Vogli nuk ka mundur të mbijetojë ndërsa nëntetari Aleksandër Peçi, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe pritet të dërgohet sot drejt një spitali më të specializuar në Gjermani. 11 pjestarë të policisë afgane, të përfshirë në sulm u arrestuan dhe hetimet pritet të zbardhin arsyet e aktit vrasës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›