SHBA, NASA mision në planetin Mars

Agjencia amerikane e hapësirës, lëshoi sondën më të re në planetin Mars, në një mision dy-vjetor për të gjetur vendet se ku mund të ketë patur jetë në planetin e kuq. Laboratori Shkencor Marsian i NASA-s, me një kosto prej 2.5 miliardë dollarësh, me emrin “Curiosity”, u lëshua nga Kejp Kanaverëll i Floridës nga një raketë robotike.
Me madhësinë e një automobili, sonda ka 17 kamera, një krah robotik, një lazer dhe një instrument çpimi për të depërtuar në formacionet shkëmbore të planetit. Vendi i paracaktuar i zbritjes është një krater 150 kilometra i gjerë, i quajtur Gejll, i emërtuar për nder të astronautit australian Uollter Gejll. Misioni u nis me përpikmëri nga baza hapësinore amerikane në Kepin Canaveral në shtetin Florida, me një raketë “Atlas V”, e njëjta me të cilën u hodhën në hapësirë sondat për njohjen e planetit të kuq në orbitë, që ndodhet aktualisht në Mars.
Sonda “Curiosity” është roboti më i sofistikuar i hedhur ndonjëherë në hapësirë për të zbuluar deri në fund a ka ekzistuar ndonjëherë apo mundet të ekzistojë jetë në planetin e kuq, raportohet në sitin e NASA-s. Misioni i ri hapësinor i NASA-s, është cilësuar si më ambiciozi i lëshuar ndonjëherë në Mars. Anija “Curiosity” është e paprecedentë në llojin e saj. Ajo peshon 9 kuintal, përfshin 80 kg pjesë shkencore, është e gjatë 3 m, dhe ka përmasat e një automjeti të vogël, por gjigant, krahasuar me dy sondat e tjera, që ndodhen aktualisht në sipërfaqen e planetit të kuq, si ajo “Spirit” dhe “Opportunity”, të gjata një metër e gjysmë dhe që peshojnë 174 kg, bashkë me 6,8 kg mjete shkencore.“Curiosity” pritet të ulet në Mars në 5 gusht të vitit 2012