E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Nuk e sugjeruam paktin Berisha-Meta

Pas deklaratave për ndërhyrje të ndërkombëtarëve, i pyetur nëse janë të vërteta aludimet që sugjerojnë një mbështetje të ambasadës së Shteteve të Bashkuara apo nxitje të kreut të LSI-së, Ilir Meta, për të bërë koalicion me Partinë Demokratike, zëdhënësi i ambasadës amerikane në Tiranë, Biks Aliu, jep qëndrimin e tij zyrtar. Kështu, Aliu deklaron se ambasada është në dijeni të aludimeve nga qarqe të caktuara që nënkuptojnë një mbështetje nga SHBA për negociatat politike në vazhdim mes aktorëve të ndryshëm politikë. "Këto aludime janë tërësisht të rreme", ka deklaruar zëdhënësi. Sipas tij, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimet politike është pasqyruar në intervistën që ambasadori John Withers dha për "Zërin e Amerikës" pak ditë më parë. Në këtë intervistë, Withers tha se "rezultatet e këtyre zgjedhjeve ishin shumë të ndërlikuara. Pika kritike që do të veçoja është që treguan një ndarje thuajse 50 me 50, për sa u përket preferencave të votuesve". Ai shprehu besimin se rezultatet e përgjithshme të dy koalicioneve të mëdha ishin thuajse disa pika përqindje larg, ishte thuajse një barazim statistikor. "Kuptimi i kësaj është që qeveria tjetër, kushdo që të dalë nga ky proces dhe do jetë proces politik e mund të dojë kohë, por kushdo del, ka një përgjegjësi më të madhe. Është shumë e rëndësishme që qeveria tjetër të kuptojë që duhet të qeverisë jo në emër të 50 për qind të atyre që votuan për të, por të shtrijë dorën te gjysma tjetër e popullsisë që është qartësisht e interesuar në përmirësimin e Shqipërisë. Dhe të përpiqet ta bashkojë kombin për të mirën e tij të përbashkët", nënvizoi ambasadori amerikan në intervistë. Withers tha se kishte takuar njerëz të spektrit të ndryshëm gjatë lëvizjeve të tij në kuadrin e vëzhgimit të zgjedhjeve. "Por dukej se kishte tema të përbashkëta që këta njerëz donin. P.sh. një përpjekje reale për t‘i dhënë fund korrupsionit në vend, jo thjesht fjalë, retorikë e fjalime të bukura, por veprime dhe masa që do t‘i jepnin fund kësaj sëmundjeje të tmerrshme për shoqërinë. Ndjenja se, pa përparim në këtë drejtim, pengohet zhvillimi i vendit", tha ai. Më shprehën edhe një ndjenjë tjetër të fortë, tha Withers, që kushdo që vjen në pushtet, të respektojë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit, duke filluar me gjyqësorin, por dhe me median, dhe lojtarë të tjerë të procesit demokratik. "Dhe se vota për një krah apo tjetrin, nuk ishte mandat për t‘u bërë presion institucioneve si gjykatat apo prokuroria. Ndaj mendoj se në këtë votë janë shprehur synime të përbashkëta që i ka populli shqiptar si i tërë. Qeveria tjetër e Shqipërisë, me gjithë ndërlikimet që ju përmendët, vërtet duhet të jetë qeveri e Shqipërisë, dhe jo e një fraksioni apo një tjetri", insistoi Withers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›