E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni hetimor "Rama 2", Kushtetuesja nis shqyrtimin

Bashkisë së Tiranës për të vlerësuar si antikushtetuese nismën e Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e shkuar për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për dhënien e lejeve të ndërtimit nga kryebashkiaku Edi Rama. Përfaqësuesja juridike e Bashkisë së Tiranës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shpalljen antikushtetues të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar që shqyrtoi dhënien e lejeve të ndërtimit dhe pezullimin e vendimit të dalë nga ky komision. Përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës pretenduan se ngritja e komisionit hetimor cenon rëndë pavarësinë e institucioneve të pavarura, si dhe prek autonominë lokale. Sipas tyre, komisioni hetimor parlamentar mund të shohë zbatimin e ligjeve të veçanta, por nuk mund të ndërhyjë në dhënien e vendimeve të KRT-së së Bashkisë së Tiranës. Avokatët e bashkisë thanë se janë institucione të tjera kushtetuese si KLSH, ILDKP-ja ato që mund të bëjnë hetimin administrativ dhe nëse konstatohen shkelje ose parregullsi në dhënien e lejeve të ndërtimit, ato mund të pezullohen vetëm me vendim gjykate. Ndërsa përfaqësuesit e Kuvendit u shprehën se kërkesa nuk bazohet në ligj dhe duhet rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Komisioni hetimor, në raportin e tij më 23 prill 2009, konstatoi shkelje të procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit nga KRT-ja e Tiranës. Në fund të legjislaturës së shkuar, mazhoranca e Kuvendit legjitimoi nismën e ngritjes së komisionit të dytë hetimor parlamentar kundër kryebashkiakut Edi Rama. Fokusi i komisionit ishin dhëniet e lejeve të ndërtimit nga kreu i bashkisë, Edi Rama. Edhe pse në një situatë parazgjedhore, komisioni parlamentar që e bëri detyrën e tij me shumë shpejtësi nuk shkaktoi dot zhurmën mediatike të komisionit parlamentar të disa viteve më parë. Vetë kreu i bashkisë, Edi Rama, refuzoi të jepte sqarime pranë këtij komisioni hetimor, ndërsa legjislaturës po i vinte fundi. Në seancën e fundit, mes shumë vendimeve ishte edhe miratimi i raportit të këtij komisioni, ku opozita nuk mori pjesë. Edhe pse nuk iu përgjigj në asnjë moment akuzave ndaj tij, juristët e bashkisë menduan ankimimin e nismës së Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese. Në arkivën e kësaj gjykate ekziston një vendim i saj lidhur me komisionin hetimor të ngritur në vitin 2003 dhe që drejtohej nga Sokol Olldashi. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën e Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›