E Shtunë, 31 Tetor 2026

U përgjysmohet paga, minatorët kërcënojnë me protestë

Java e parë e muajit korrik duket se ka nisur keq për minatorët e minierës së Bulqizës, më e madhja në vendin tonë. Kjo për faktin se norma e punës për minatorët vagonistë është rritur me 50 për qind, pasi nga 3 vagonë që u kërkohej deri para korrikut, tani norma është bërë 4.5 vagonë, brenda një turni pune. Dhe çuditërisht një rritje e tillë e normës së vagonistëve ose thënë ndryshe ulje page për ta me 50 për qind, ka ardhur fill pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, kur gjatë fushatës elektorale të gjitha partitë garuese në këto zgjedhje u zotuan për përmirësimin e kushteve të punës në minierë, ndikim për rritjen e pagave të tyre dhe dhënien e statusit të minatorit.

"Jemi shumë të zhgënjyer nga premtimet e partive në fushatë, pasi fill pas këtyre zgjedhjeve ne ndëshkohemi me ulje 50 për qind të pagës, ndërkohë që na ishte premtuar rritje e saj", thotë Baki Bajraktari, një nga minatorët vagonistë të kësaj miniere, që ka 26 vjet që punon në këtë minierë. Më tej ai ka shtuar se është kërkuar sqarim për këtë problem nga drejtori i minierës, Petrit Duva, por sipas tij rritja është bërë pasi janë "afruar" frontet e punës. "Ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë pasi frontet largohen dhe jo afrohen gjatë punës në galeri, një logjikë e thjeshtë kjo që dihet prej gjithkujt, aq më tepër prej nesh që punojmë në minierë", thotë Bajraktari.

Ndërkohë firma koncesionare "Albanian Chrome ACR", që aktualisht menaxhon këtë minierë, ku punojnë mbi 660 minatorë, nuk i ka përmirësuar kushtet teknike të punës. Fadroma dhe elektrovozi për çdo galeri nuk janë vënë ende në funksionim.

"Ende vazhdohet të punohet si në mesjetë me lopata dhe karroca dore, gjë kjo që nuk e përligj rritjen e normës për vagonistët. Ndërkohë, kemi kundërshtuar pranë drejtorisë për rritjen e padrejtë të normës, jemi duke mbledhur firmat e gjithë minatorëve vagonistë, ku pas 15 ditësh do të nisim me ndërprerje 1-orëshe të punës, pas 5 ditësh ndërprerja do jetë 24-orëshe dhe deri në ndërprerje pa afat të saj", ka nënvizuar Bajraktari. I pyetur nëse protesta e tyre mbështetet nga Sindikata e Minatorëve, ai thotë se minatorët prej kohësh nuk kanë më besim te drejtuesit e sindikatës, pasi sipas tij ata janë bërë palë me punëdhënësin, në përmbushje të interesave të tyre të ngushta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›