Qeveria japoneze do të njohë pavarësinë e Kosovës
Sipas të përditshmes “Herald Internacional Tribune”, versioni aziatik që shoqëron gazetën më të madhe japoneze “Asahi Shimbun”, Japonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës shumë shpejt, pas shpalljes së saj në këto javë. Sipas kësaj gazete, e cila citon burime nga qeveria japoneze, Japonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke ndjekur kështu shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Kjo e përditshme shkruan se ky qëndrim vjen, sidomos duke marrë parasysh që në zgjedhjet e së dielës së kaluar votuesit serbë zgjodhën kandidatin properëndimor, Boris Tadiç. Gazeta i referohet gjithashtu edhe një intervistë të kryeministrit Berisha, në të cilën ai deklaron se pavarësia e Kosovës ka të ngjarë të shpallet në fund të këtij muaji. Duke iu referuar kësaj interviste, gazeta shkruan se kryeministri Berisha shprehet se pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme për të sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe mirëpret rizgjedhjen e presidentit Boris Tadiç, si një shenjë që edhe Shqipëria edhe Serbia të shohin përpara drejt së ardhmes së tyre të integruar europiane. Pyetjes së gazetarit për federatë mes dy vendeve, kryeministri Berisha iu përgjigj se Shqipëria do të respektojë kufijtë ndërkombëtarë me Kosovën dhe nuk do të ketë bashkim midis dy vendeve. Pavarësia e Kosovës i jep fund një herë e përgjithmonë idesë së Shqipërisë së madhe, shkruan gazeta duke cituar kryeministrin Berisha.