E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i rritur i bukës - abuzim i pastër

Në fillim po udhëtojmë në tekstin e kronikës së televizionit “ALSAT” të datës 6 shkurt 2008, të gazetarit Adi Darsi, sepse aty janë të gjitha problemet dhe zgjidhjet për këtë situatë absurdi të krijuar lidhur me çmimin e bukës.
Kronika thotë: “ Zyrtarisht, nuk ka asnjë rritje të çmimit të grurit të importit, ndonëse pretendohet se rritja e çmimit të bukës ka ardhur për këtë shkak. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thonë, se asnjë nga importuesit e grurit nuk ka importuar që nga muaji nëntor grurë me çmim më të rritur. Sipas të dhënave të doganave, edhe referencat e këtij artikulli mbeten të disa muajve më parë. Gruri nga Argjentina zhdoganohet me 320 dollarë për ton që prej 4 muajsh, gruri që vjen nga Rusia e ka referencën 315 dollarë toni dhe ai që importohet nga vendet e BE ka referencë 285 dollarë për ton. Me çmimin 220 dollarë për ton zhdoganohet gruri që vjen nga Ukraina, nga ku edhe merren sasitë më të mëdha nga importuesit shqiptarë. Çmimet nuk kanë ndryshuar në doganat shqiptare, ndërkohë që sinjale për ndryshim të çmimeve vetëm sa janë paralajmëruar në tregjet e huaja, të cilat nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë më tregun tonë. Importuesit e pranojnë se ende nuk janë rritur çmimet, por ata shtojnë se kontratat që janë lidhur për 6-mujorin e dytë të 2008 kanë çmime më të shtrenjta. Por, pavarësisht se çfarë ndodh në treg, produkti final, buka, po shitet më shtrenjtë dhe ky është një abuzim i pastër. Rasti i grurit dhe i miellit po kopjon pikë për pikë skemën abuzive që ndodh me karburantin, çmimi i të cilit rritet njëkohësisht me bursat edhe në tregun shqiptar të pakicës. Ajo që mund të thuhet në këtë rast, është se mazhoranca e djathtë, që po vuan pasojën politike të këtij abuzimi, në fakt po vuan paaftësinë e vet për të rregulluar mirëfunksionimin e tregut dhe çlirimin e tij nga spekulantët e monopolistët”.
Çmimi i grurit dhe i bukës u rrit dhe buka ka tendencë rritjeje ende. Jo për shkaqe tregu, por për koniuktura fitimi të shpejtë, për shkak të abuzimeve të pastra e spekulimeve pa skaj. Por, duhet thënë në krye se sot, në Shqipëri, nuk vdes kush për bukë goje. Askush, asnjë njeri. Është zgjidhur me kohë problemi i ushqyerjes me bukën e përditshme. Gjithkush që punon, që merr pagë, në të bardhë a në të zezë, që merr pension, që është shqiptar dhe që fëmijët i punojnë në vend ose emigrantë, nuk e ka më tmerr bukën. Është vrarë njëherë e mirë frika për bukën. Çdo përpjekje për të ngjallur gogolin e bukës, për të bërë politikë me bukën e gojës, është gjest antihuman. Një përqindje shumë shumë e vogël e shqiptarëve mundet të gjendet në vështirësi për të blerë thesin e miellit. Por kjo përqindje është shumë, shumë e vogël. Pa u marrë me statistikat mbi punësimin, por duke shkuar te njerzit. Sepse, informaliteti i gjithanshëm në vend fsheh të vërtetat. Dikush që s’është i regjistruar askund në këtë vend, veç gjendjes civile, që nuk rezulton i punësuar, që nuk merr asistencë e as përkrahje, merr mjaft pará sa për të mos e llogaritur bukën e gojës. Shqiptarët janë të varfër dhe iu mungojnë gjëra të tjera, por jo buka, sado të rritet çmimi i saj. Shqiptarët shpenzojnë dy-tri e pesë a dhjetë herë më shumë karta telefoni se sa shpenzojnë për të blerë bukën. Por, informaliteti nuk na lejon t’i dimë gjërat siç janë. Buka është zëri më i vogël në shpenzimet e një familjeje shqiptare, përjashto ato pak familje, shumë pak realisht, që kanë vështirësi. Për këto familje duhet dhënë ndihmë për të jetuar e jo të marrin nëpër komuna përkrahje sociale familje që kalojnë 1000 euro të ardhura, individë që shkojnë me “Benz” katër fenerësh për të marrë përkrahjen sociale 10-20 dollarëshe.
Kjo është njëra anë, për të mos diskutuar frikën nga gogoli i bukës.
Pra, rritja e çmimit të bukës s’është nga shkaku i rritjes së çmimit të grurit të importit se nga importi është rritur prej muajsh. Në Tiranë, befas, brenda një dite. Në vend, prej vitit 2004 e deri në 2007 janë prodhuar mesatarisht çdo vit 240 mijë tonë. Janë importuar mesatarisht 320 mijë tonë çdo vit që nga viti 2004. Asnjëherë nuk është prodhuar gruri në vend, kurrë. Shtimi i prodhimit në vend nuk mund të ndodhë brenda një jave a një muaji, edhe pse duan kështu zërat e korbave. Nuk rritet prodhimi në vend me urdhër të askujt. Nëse ia leverdis fermerit, mbjell grurë, nëse jo, mbjell kivi, atë e di vetëm ai. Nuk ka mungesë politikash këtu, se nuk jemi në diktaturë, ku me urdhër mbillej çfarë donte partia. Insinuatat nga mentarë në podiume për mungesë politikash e orientimesh janë foshnjarake dhe shumë dashakeqe. Nuk mund të ketë politikë më të mirë dhe më me interes për fermerin shqiptar sesa kjo që ndjek kjo qeveri. Nuk fiton asgjë fermeri shqiptar, po të merret me grurin. Përjashto ato që merren, pasi kanë sipërfaqet e kushtet e duhura. Nga pazotësia për ta rrokur e zgjidhur problemin, luhet loja “ta lashë” nga politika. Nga përgjumja ose shitja e nëpunësve ndodh që katër-pesë individë të tentojnë të tërheqin zvarrë një popull. Nuk rritet çmimi i grurit si i karburantit, thuhet në atë kronikë. Sepse, sapo rritet çmimi i karburantit në bursë, në Londër, sikur tregtarët e pakicës në Laprakë ta kenë të lidhur tubin e naftës me Londrën, brenda ditës rrisin çmimet dhe nuk i ndryshojnë kurrë më. Edhe tregtarët e grurit bëjnë ç’të duan e si të duan. Gruri që vjen nga Ukraina (më së shumti andej vjen), shoqërohet me dokumente sikur vjen nga Rusia, sepse gruri ukrainas ka probleme. Dhe tregtarët tanë mashtrojnë. Dhe zyrtarët përgjegjës heshtin. Segmentet e ngarkuara heshtin.
Të flasim për abuzimin e pastër e spekulativ me çmimin e grurit e të bukës. Tre-katër importues drithërash, për kokërr të qejfit, duke pirë kafe në një lokal, marrin një vendim për ta rritur në çast çmimin e grurit. Bëjnë ca telefonata dhe urdhërohet menjëherë rritja e çmimit të bukës. Pa asnjë shkak real. Pa asnjë analizë. Pa hyrë fare në llogarira, në efektet që vijnë. Pa fijen e humanitetit. Në mos, me egërsi e inat të tërbuar. Jepen ca pará të mira. Transmetohen ca kronika televizive për rritjen e çmimit të grurit e të bukës, ende pa u rritur, vetëm sa për ta përcjellë lajmin që konsumatori të tronditet. Që politika të përshtjellohet. Dhe fitimi, vetëm fitimi i importuesve të grurit dhe prodhuesve të bukës të rritet e rritet. Dhe të sigurohet rritja tjetër e shpejtë dhe e madhe. Për ta ngritur çmimin sa është në Greqi, ku buka kushton dy euro, dakord them unë, të rritet buka sa në Greqi. Por Greqia nuk ha grurë Ukraine. Atje ka kontroll e norma të caktuara e fikse fitimi. Atje importuesit e prodhuesit e bukës sado monopolistë të jenë, nuk e tërheqin dot zvarrë shtetin. Atëherë, duhet paguar mirë punëtori, nuk mund t’i fshehësh shtetit asgjë. Nuk ka evazion të hapur e të pastër. Nuk ka taksa të hequra si te ne. Nuk ka referenca të ulura si te ne. Nuk rrjedh shporta si te ne. Nuk e ndjell dot me kripë kontrollorin. Nuk flet dot në emër të shtetarëve. Nuk flet dot në emër të zyrtarëve të lartë të shtetit si të duash, nuk i tërheq zvarrë shtetarët me ryshfete. Dhe as konsumatorët.
U synua në solidaritet prodhuesish të bukës. Por ende nuk është arritur ai, sepse sot në treg vetëm një e treta e prodhuesve e ka rritur çmimin e bukës, ndërsa dy të tretat ende jo. Dikush nga prodhuesit e rriti çmimin befas, pa asnjë shkak. Arsyetimi ekonomik nuk i jep të drejtë. Por shkaku është nga inati, se shqiptarët “blejnë një paketë cigare më shtrenjtë se sa blejnë një bukë në dyqan”. Shkaku tjetër është se gratë shqiptare paguajnë 25 deri në 50 euro për të “bërë thonjtë, për të zbukuruar e zgjatur thonjtë” dhe, pse të mos e blejnë një bukë, një euro? Këtu është synimi - të shitet nga prodhuesit një bukë, një euro. Për ta paralajmëruar këtë çmim, për ta paradhënë këtë lajm, thirren në ndihmë ca gazetarë, iu ofrohet pará për ta transmetuar lajmin mbi rritjen e çmimit të një buke në një euro.
Shteti ende po hesht, sepse 150 furrat e bukës në Tiranë që prodhojnë bukë duhen kontrolluar. Një e treta e tyre prodhojnë bukë me dru zjarri. Çmimi i druve të zjarrit nuk është rritur. Një e treta prodhojnë me mazut, të cilit nuk i është rritur çmimi dhe aq. Një e treta me energji elektrike, së cilës nuk i është rritur çmimi dhe nuk ka munguar për furrat e bukës këto kohë. Pesha e bukës duhet kontrolluar. Kushtet higjenike po ashtu. Cilësia e bukës po e po. E ujit, me të cilin gatuhet buka. E kripës, me të cilën gatuhet buka. Rrezja e miellit duhet kontrolluar. Nuk lejohet gjenerator në mes të furrës së bukës. E kur nuk lejohet, sepse prodhon blozë dhe bloza bie mbi brumin e bukës, nuk ka faj kontrolli dhe s’është tendencë kontrolli. Është interes konsumatori.
Çmimi i grurit nuk është rritur, sepse rritja mendohet të vijë në 6-mujorin e dytë të 2008, kur rilidhen kontratat. Pastaj ka prodhues në Shqipëri që ende kanë rezerva mielli që në vitin 1997 ose në vitin 1999. Çmimi i fuqisë punëtore nuk është rritur. Taksat janë ulur. Referencat janë të ulura në dogana. Atëherë, pse ndodh ky shtrëngim i lakut në fyt të konsumatorit nga katër-pesë njerëz që dirigjojnë grurin e miellin në këtë vend? A mos është lak në fyt për qeverinë? Mund të urresh qeverinë, por është çnjerëzore të urresh popullin. Po sikur konsumatori të ndërgjegjësohet e të bëjë bojkot? Çdo të ndodhte me prodhuesit e famshëm? Po sikur shumica e konsumatorëve ta prodhojnë bukën vetë, çdo të gatuanin furrat e bukës? Po sikur ato të sigurisë kombëtare të hyjnë në kontrolle të imëta e të vulosin dokumente me atë vulën tip trekëndëshe? A iu duhet besuar këtyre prodhuesve që shantazhojnë të prodhojnë bukë për popullin?

Autori eshte keshilltar prane Ministrit te Bujqesise

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›