Hijet mbi Beograd
Bursa e Beogradit shpjegoi gjithçka. Më katër shkurt, pasi Boris Tadiç u rizgjodh si president i Serbisë, indeksi i tij pas disa muajsh rënieje, u rrit në mënyrë spektakolare. Të nesërmen, pasi u bë e qartë se kriza politike po shtohej dhe qeveria ishte afër kolapsit, indeksi ra përsëri. Humbje të tjera mund të pasojnë.
Gara në balotazh ishte e fortë. Tadiç është liberal properëndimor, i cili dëshiron që vendi i tij të anëtarësohet në BE sa më shpejt të jetë e mundur, që të arrijë fqinjët.
Bullgaria dhe Rumania janë tashmë anëtare të BE, Kroacia ka përparuar në bisedimet me BE dhe Maqedonia do t'i fillojë negociatat nga fundit i vitit. Kundërshtari i Tadiçit ishte Timosllav Nikoliç, kreu i Partisë Radikale serbe. Lideri dhe kryetari i saj de jure është Vojisllav Shesheli, i cili ndodhet në Gjykatën e Hagës për Krime Lufte. Megjithatë, Nikoliç fitoi më shumë se 47 për qind të votave më 3 shkurt, ndërsa Tadiç pak më shumë se 50 për qind.
Zgjedhjet shënuan një ndryshim të madh në politikën serbe. Në të shkuarën, përkrahja për radikalët ka qenë gjerësisht e qëndrueshme. Por duke i dhënë më shumë vota këtë herë, shumë serbë nuk e shikojnë këtë parti si në kohën e Sheshelit dhe të luftës, kur niste milicët vrasës të luftonin për Serbinë e Madhe.
Më shumë se shtatë vjet pas rënies së Millosheviçit, votuesit ishin të gatshëm për ndryshim, pjesërisht ngaqë janë të zemëruar për mënyrën si janë pasuruar njerëzit me lidhje politike.
Pastaj është edhe Kosova. Nominalisht pjesë e Serbisë, Kosova përgatitet të shpallë pavarësinë brenda disa javësh. Një pjesë e madhe e punës për shtetin e ardhshëm janë përpjekjet për kalimin e detyrës së mbikëqyrjes së Kosovës nga OKB te BE.
Më 4 shkurt, BE tha se ishte e gatshme të vendoste një mision të gjerë në Kosovë, sapo ministrat e Jashtëm të jepnin miratimin zyrtar dhe shanset janë që vendosja të fillojë më 18 shkurt. (Miratimi zyrtar është dhënë tashmë – shën. i përkth).
Humbësi i madh në zgjedhjet presidenciale serbe nuk ishte asnjëri prej kandidatëve, por Vojisllav Koshtunica, kryeministri. Ai është në koalicion me partinë e Tadiçit, por refuzoi ta mbështeste atë për president. Të gjithë liderët serbë, përfshi Tadiçin, e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Por Koshtunica shton se, në qoftë se vendoset në Kosovë misioni i BE, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në BE. Tadiç dhe partia e tij thonë se, pavarësisht asaj që do të ndodhë me Kosovën, rruga e vetme e Serbisë është ecja drejt BE.
Serbia do ta kishte firmosur marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE, por në fund të janarit marrëveshja u bllokua nga ministri i Jashtëm holandez, i cili theksoi se Serbia nuk kishte bërë sa duhej për arrestimin e të kërkuarve nga Gjykata e Hagës (veçanërisht për Ratko Mlladiçin, gjenerali serb në luftën e Bosnjës). Në vend të kësaj, Serbisë iu ofrua një marrëveshje e përkohshme, jo më shumë se një deklaratë e dashamirëse.
Kjo marrëveshje ishte parashikuar të firmosej më 7 shkurt, por u shty, pasi Koshtunica e quajti atë një kurth dhe tha, se Serbia nuk do ta firmoste kurrë.
BE veproi menjëherë, u ankua për “politikanë të caktuar në Beograd” që bëjnë veprimtari bllokuese. “I helmuar nga mënyra sesi Tadiç fitoi zgjedhjet, Koshtunica dëshiron ta shikojë presidentin të shkatërruar”, - thotë Braka Grubaçiç, analist politik. “Koshtunica po punon që Tadiçi të dëmtohet”, - thotë ai.
Ku e çon kjo Serbinë? Tadiçi mund të dorëzohet para kryeministrit, siç ka bërë më herët, pavarësisht ankesave për shantazh. Por mund të ndodhë edhe çarja e qeverisë, kjo do të thotë që ose radikalët të futen në qeveri, shumë pak e mundshme, ose zgjedhje të reja, në të cilat Koshtunica, partia e të cilit është poshtë në sondazhe, mund të mbetet në të shkuarën.
Një datë e mundshme për zgjedhjet është 11 maji, ditën që janë planifikuar zgjedhjet lokale.
Edhe nëse qeveria shpëton nga kjo krizë, të tjera do të pasojnë. Pasi Kosova të shpallë pavarësinë dhe misioni i BE të jetë në funksion të plotë, Brukseli do t’i vërë kusht marrëdhëniet e mira me fqinjët.
Serbisë nuk do t’i kërkohet ta njohin shtetin e ri menjëherë, por në qoftë se ata shikohen si minues të tij në çdo hap, duke vënë në rrezik misionin e BE, radhën e ka ndëshkimi.
Motoja më e mirë për politikën ballkanike ka qenë “parashiko të paparashikueshmen”.
Në Beograd po diskutohet një skenar i ri. Tadiç dhe Nikoliç mund të punojnë për një kompromis. Nikoliç e urren Koshtunicën, ndaj ishte e habitshme që dy kandidatët folën me respekt për njëri-tjetrin pas zgjedhjeve. Një marrëveshje mes tyre, së cilës do t’i mungojë koalicioni zyrtar, do t’iu japë radikalëve mundësinë të ndjekin shembullin e partisë qeverisëse në Kroaci, e cila kaloi nga nacionalizmi i egër, në parti politikisht e respektuar, por kjo do të kërkonte pastrime të brendshme. Kjo do t’i jepte gjithashtu shansin partisë së Tadiçit për qartësuar lidhjen mes së ardhmes së Kosovës dhe dëshirës së Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.
Tadiç thuhet se e pëlqen këtë kompromis, i cili do të formalizonte ndryshimin politik, që u bë i qartë në zgjedhjet presidenciale. Rezultati do të jetë konsolidimi i votuesve mbrapa dy partive të mëdha, së bashku me partitë e tjera, përfshi ato të minoriteteve, si hungarezët dhe boshnjakët në Sanxhak, të cilat ishin përkrahëse të Tadiçit.
Në qoftë se gjërat shkojnë kështu, ditët e Koshtunicës si kryeministër janë të numëruara. Por ai është mendjehollë dhe s’mund të konsiderohet ende jashtë loje.