SHBA: Numërimi i votave në vend, të vijojë pa vështirësi

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel duke iu referuar zgjedhjeve lokale në Shqipëri ka kërkuar që numërimi i votave të vazhdojë pa vështirësi ndërsa ka kërkuar nga palët politike t`i përmbahen ligjit.
“Ne po ndjekim rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk e di kush do të fitojë. E di se rezultati është shumë i ngushtë. Por shpresoj se të dyja palët do të bien dakord me sundimin e ligjit përsa i përket zgjedhjeve. E di se numërimi vazhdon dhe shpresoj se do të vazhdojë pa ndonjë vështirësi” theksoi Engel.
Më tej ai thekson se shpreson se cilido që të fitojë duhet të respektohet, sepse kjo do t`i tregojë Bashkimit Evropian që Shqipëria po i plotëson standardet e BE-së.
“Jam shumë i gëzuar që Shqipëria i plotësoi standartet e NATO-s, por këto zgjedhje do t`i tregonin Bashkimit Evropian se Shqipëria e dëshiron anëtarësimin në BE” shtoi më tej Engel.
Engel i bëri komentet në një takim me përfaqësuese të shoqërisë civile nga Kosova të cilat vizituan Kongresin amerikan.