SHBA-OSBE: Në këto zgjedhje fitoi populli shqiptar - kandidatët të presin verdiktin e KQZ-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE shprehen njëzëri se zgjedhjet për pushtetin vendor që u mbajtën në 8 maj 2011-të, ishin një moment triumfi për demokracinë shqiptare. Përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë nga selitë diplomatike të SHBA dhe OSBE, ambasadorët Arvizu dhe Wollfarth shprehen se, në këto zgjedhje fitoi populli shqiptar. Arvizu dhe Ëollfarth, theksojnë gjithashtu se kandidatët për bashkinë e Tiranës duhet të presin rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa ende nuk është bërë publik rezultati i zgjedhjeve vendore, që kanë mbajtur të ngërthyer shqiptarët që prej votimeve të së dielës, misioni diplomatik amerikan thekson se në kohën kur të dyja palët pretendojnë fitoret, është e rëndësishme të pritet certifikimi i rezultateve në përputhje me Kodin Zgjedhor. “Pozicioni ynë, thuhet në deklaratë, është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me kreun e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë”. Deklarata vijon me urimet për popullin shqiptar, për atë që e cilëson kapërcimin e vijës së finishit.
Aleksandër Arvizu
“Urime për kapërcimin e vijës së finishit. Ka qenë një fitore për demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar. Teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor. Pozicioni ynë është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Edhe një herë, urimet tona për popullin shqiptar”.
Eugen Wollfarth
Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, deklaron se në këtë garë të fortë për kryetar Bashkie ka fituar demokracia, sikundër është bërë një hap i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme kombëtare. Ndërsa palët politike ende pretendojnë për një fitore të mundshme, ambasadori Wollfarth vuri në dukje se kjo ishte një garë shumë e fuqishme, duke e cilësuar me rrahje të forta zemre, ndërsa numërimi ishte i rëndësishëm për demokracinë.
“Jam i lumtur që përfundoi numërimi. Raporti final do të dalë nga OSBE/ODIHR. Kjo ishte një garë me rrahje të forta zemre. Gjithmonë kam menduar dhe mbështetur kandidatët, pasi ishte një garë me puls të fortë zemre. Në fakt është e rëndësishme jo vetëm diferenca e vogël, por çdo votë numërohej dhe kjo ishte e rëndësishme për demokracinë. Ishte mbresëlënëse, një garë që të bënte zemra të rrihte fortë, megjithëse përgëzoj të dy forcat politike”- thotë Wollfarth.
Sipas tij, këto zgjedhje ishin një fitore e merituar për demokracinë. “Demokracia ka fituar. Është bërë një hap i rëndësishëm për një hap më të mirë të zhvillimit të qytetit dhe të fshatrave dhe një hap pozitiv për zgjedhjet e ardhshme ndërkombëtare”- tha ambasadori Wollfarth. Duke iu referuar numërimit të votave, ambasadori thotë se “vota e qytetarit, është numëruar mjaftë saktë, duke vlerësuar kësisoj vullnetin e tyre”.
Më tej, ambasadori Wollfarth ka theksuar se ‘së bashku me kolegët e tij, ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së kanë punuar shumë për këtë proces, pasi vota e qytetarëve është mjaft e rëndësishme’.