SHBA-OSBE: Realizoni në kohë reformën zgjedhore. Berisha e Rama përplasen lidhur me rezultatin e 2013-s

Ambasadorët Volfart dhe Arvizu
Ambasadorët e SHBA-së dhe OSBE-së u kanë bërë thirrje dy partive kryesore që të respektojnë afatet për realizimin e reformës zgjedhore. Aleksandër Arvizu u shpreh se do të shmang akuzat ndërmjet palëve.
Duhen respektuar afatet kohore që gjërat të mos lihen për në momentin e fundit. Respektimi i afateve do të bëjë të mundur që të mos i lihen përgjegjësitë palës tjetër, tha diplomati amerikan.
Ndërsa kreu i OSBE-së përveçse kërkoi respektimin e afateve të përcaktuara nga vetë partitë politike, ka kërkuar që implementohen propozimet e OSBE/ODIHR-it.
Palët duhet të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE-së. Reforma zgjedhore është një proces që i përket klasës politike shqiptare”, është shprehur Volfart.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Sali Berisha ka ritheksuar se maxhoranca është e gatshme të miratojë çdo propozim të PS-së që merr aprovimin e OSBE/ODIHR-it. Por pavarësisht kësaj, Berisha publikisht ka kundërshtuar disa nga propozimet e PS-së. Më tej ai është shprehur se lideri i opozitës Edi Rama shpreson të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare me ndihmën e Aleancës Kuqezi dhe Bamir Topit. Ka tetë muaj që u thotë bashkëpunëtorëve të tij, do fitojmë nga kuqezinjtë, por lideri që është lider nuk e bazon fitoren tek realitetet inekzistente, por tek pushtimi i mendjes dhe zemrës së qytetarëve dhe frymëzimi që udhëheq në fitore, u shpreh kryeministrit.
Për këtë deklaratë, ka ardhur dhe reagimi i Ramës. Ai akuzoi se kjo është shpifje dhe se PS do të fitojë kundër të tre PD-ve. Shpifja e ditës: Edi Rama u thotë të tijve do fitojmë nga Kreshniku! E vërteta: PD është ndarë në tresh dhe të treja PD-të bashkë s’bëjnë shumicë!, shprehet Rama në Tuiter. Ora e kryeministrit ka ngecur në të shkuarën. Shpifjet s’janë vizion. Fyerjet s’janë program. Sulmet ndaj opozitës s’janë zgjidhje për problemet e vendit. /F.S/