E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu e Uollfart Reforma zgjedhore te perfundoje brenda afateve

Faktori ndërkombëtar ripërsërit dhe një herë tjetër apelin për forcat politike në vend, për përfundimin e reformës zgjedhore brenda afateve. Por jo vetëm kaq, realizimi i kësaj reforme duhet të plotësojë standartet e kërkuara. Një qëndrim i tillë erdhi sërish sot nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfart dhe ai i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, gjatë konferencës për “Teknologjitë e reja në zgjedhje dhe Administrimi i Zgjedhjeve”.

“Është bërë progres me reformën zgjedhore, por ajo duhet të përfundojë brenda afateve. Por kjo kërkon vullnet politik”, u shpreh ambasadori Uollfart.

Ndërkohë që dhe ambasadori Arvizu duke u ndalur pikërisht në rëndësinë e një reforme të tillë vlerësoi se “ka disa boshllëqe në Kodin Zgjedhor, boshllëqe që duhet të plotësohen”.

Në këtë tryezë ishte e pranishme dhe Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, e cila shprehu besimin e saj se kjo reformë do mund të ofrojë në 2013 zgjedhjet më të mira në vend.

“Reforma zgjedhore është çështje kyçe në rrugën e integrimit evropian dhe përbën një nga indikatorët e matjes së progresit të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.  

Për këtë arsye që në fillim të punës së këtij komisioni kam shpresuar se pas dy viteve te humbura, të gjitha forcat politike do të ngrihen në përgjegjësinë që i kërkon koha, dhe bashkëpunimi i tyre do të shkojë përtej kalendarit politik, interesit individual , por për interesin kombëtar”, vuri në dukje Topalli.

Po në këtë linjë, Kryetarja e Kuvendit i mëshoi faktit se “reforma zgjedhore duhet të jetë në tempin e reformave të tjera në këtë vend, si p.sh ajo e infrastrukturës, jetës ekonomike të vendit, dixhitalizmit dhe transparencës së administratës shtetërore, reformat fiskale etj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›