E blertë
Pavlina PAMPUDHI (Greqi)
Kam sy të blertë dhe të drejtën të vendos
Ashtu si bari i egër
Për veprat e qytetërimeve dhe për vetminë
E përmendoreve.
Të drejtën të fshij Historinë
Ashtu si vëllai i vogël,
Që zbriti në pus
Dhe doli në qiell.
Të drejtën të rrokjezoj gjethe dhe gjemba
Ashtu si pemët me blerim të përjetshëm
Në mushkëritë e parqeve
Dhe në pavarësinë e përrenjve.
Kam kryelartësinë e së blertës,
Ndaj dhe të drejtën që,
Duke i diktuar heshtje shkretëtirës,
Të dëgjoj
Dëshirën time që të jem, nga e cila bigëzohet
Përthellë, duke plasur
Dëshira ime më e fortë, që të jetë
Bota.
Jetëshkrim
E sigurt bota dhe shtëpia.
Me dritare, që shikojnë dritare,
Që shikojnë dritare.
Banova thjesht.
Duke fshehur si përfytyrime të ndyra
Zemrën, veshkat dhe zorrët
Trurin, mëlçinë, mushkëritë
Lëmshin e nervave, turpin e sekrecioneve
Qëllimin, veprën dhe gjakun e tyre.
Veten dhe frymën e gabuar
Që vërtitet me klithma
Në shishe.
Përktheu Romeo Çollaku
29 Shtator 2008