SHBA: PS bllokoi integrimin e vendit për shkak të axhendës së saj politike
Jonathan Moore bashkëbisedon me analistë të njohur në Washington për çështjet e Shqipërisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ripërsëritur apelin e tyre për votimin e tre ligjeve, si kushte ëpr marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE, ndërsa kanë evidentuar se PS-ja ka bllokuar për qëllime politike procesin e integrimit. Njëherazi, SHBA-të i kanë bërë apel Partisë Socialiste që të dërgojë emrat e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Këto qëndrime u bënë të ditura në Uashington, në një debat të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan. Në këtë takim mori pjesë dhe Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore, që pak ditë më parë vizitoi Shqipërinë.
Para një paneli me analistë të njohur në Washington për çështjet e Shqipërisë, Jonathan Moore, u shpreh se, “opozita me mosvotimin e tre ligjeve, ka bllokuar për qëllime politike integrimin e vendit në BE”.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të mos shtyhen zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa shtoi se SHBA dhe institucionet e tjera që merren me zgjedhjet do të kenë vëzhguesit e tyre të angazhuar në këto votime.
Vetëm pak ditë nga vizita e tij në Shqipëri, zyrtari i lartë amerikan, Jonathan Moore, ka ripërsëritur edhe njëherë se KQZ duhet të jetë e balancuar dhe pa ndikime nga politika. Duke iu referuar gjendjes në të cilën ndodhet momentalisht KQZ, Moore ka theksuar se KQZ duhet të funksionojë në normalitetin e tij, duke përçuar kështu në mënyrë indirekte apelin ndaj opozitës për të plotësuar vendet e mbetura bosh nga anëtarët e saj të dorëhequr.
“KQZ duhet të jetë e balancuar dhe pa ndikime nga politika. KQZ duhet të funksionojë dhe zgjedhjet të zhvillohen më 23 qershor, mosfunksionimi i saj rrezikon zhvillimin e zgjedhjeve”, tha ai.
Zyrtari amerikan ka parashtruar qartë se, SHBA kërkon të shohë zgjedhje me standarde demokratike në 23 qershor, të cilat sipas tij janë vendimtare për demokracinë në vend si dhe progresin drejt procesit të integrimit.
“Zgjedhjet janë test për demokracinë në Shqipëri. Duam të shohim zgjedhje të lira dhe demokratike në 23 qershor. Zgjedhjet janë të rëndësishme për demokracinë dhe progresin në Shqipëri. Duhet të zbatohen kuota gjinore, listat e zgjedhësve kanë pasur probleme”, theksoi ai.
Zyrtari i lartë amerikan shprehu shqetësimin e vendimit të Partisë Socialiste për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve dhe nëse kjo ndodh u shpreh ai, qytetarët duhet të reagojnë. “Po përpiqemi që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm. KQZ të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në rrugën e duhur. Ne do t’i vëzhgojmë. Dhunën nuk do ta tolerojmë. Do të kemi kujdes me gjithçka që do të ndodhë. Do të fokusohemi me fushatën elektorale, do të bazohemi në ato çfarë do të na thonë vëzhguesit. Do të shikojmë se çfarë do të bëjmë, si do të veprojmë, por edhe më parë e kam thënë që është një pyetje për diskutim, sepse opozita ka vendosur të mos ndryshojë qëndrim për sa i përket zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet nuk zhvillohen, qytetarët duan që ato të zhvillohen”, theksoi Moore.
Ai i dërgoi sërisht apel partive politike që të bëjnë gjithçka që zgjedhjet të zhvillohen në datën e caktuar më 23 qershor. Ndërkaq, ai ritheksoi vendosmërinë e SHBA për të vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve. Deklaratat, Moore i bëri gjatë një konference në Uashington.
Në fund të seancës, ka ndërhyrë edhe ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers, i cili ka deklaruar se mazhoranca në Shqipëri do të vjedhë këto zgjedhje. Por Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore ka replikuar, duke kujtuar se pak ditë më parë ka takuar edhe Edi Ramën edhe Ilir Metën dhe asnjeri prej tyre dhe askush nga opozita në Shqipëri nuk ka shfaqur një shqetësim të tillë, përkundrazi kanë deklaruar se do t’i fitojnë zgjedhjet.