Marrëveshja e Koalicionit “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”
“Ne, nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, jemi sot të bashkuar në parime dhe synime për ndërtimin e një Shqipërie më të fortë, dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.
Ne angazhohemi në parimin e një Shqipërie Europiane, përmes tre shtyllave themelore - punësim, mirëqenie dhe integrim. Punësim do të thotë më shumë vende pune, mirëqenie do të thotë mirëqenie për çdo qytetar dhe integrim do të thotë të bashkuar në një të ardhme europiane.
Ne jemi të bashkuar për të arritur këto synime për qytetarët. Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, biem dakord se një Shqipëri e zhvilluar dhe evropiane fillon me infrastrukturë të re dhe të modernizuar. Kjo nis nga rrugët dhe vazhdon me portet, aeroportet, shkollat, ujin, energjinë dhe vepra të tjera publike. Dhe ne besojmë se ky zhvillim duhet të ndodhë në të gjithë komunitetet - urbane dhe rurale - sepse të gjithë qytetarët janë pjesë e një Shqipërie të zhvilluar, pavarësisht se ku ata jetojnë.
Ne, nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, qëndrojmë të bashkuar në besimin tonë se më shumë vende pune dhe pagat më të larta, janë thelbësore për krijimin e një Shqipërie të zhvilluar dhe europiane. Dhe se qeveria, nuk mund të ndërtojë e vetme një Shqipëri të begatë - progresi varet gjithashtu nga suksesi i sektorit privat, i biznesit dhe nga suksesi i çdo individi. Ndaj ne besojmë në sipërmarrjen e lirë, ndërhyrjen e kufizuar të qeverisë dhe forcimin e lirisë, në zgjedhjet dhe mundësitë për qytetarët.
Ne besojmë në forcimin e klimës së biznesit duke ulur taksat, duke e bërë më të lehtë për të hapur, drejtuar dhe zhvilluar një biznes. Ne besojmë në tërheqjen e investimeve të huaja, në investimet në infrastrukturë, në përmirësimin e arsimit, në zhvillimin e energjisë dhe burimeve natyrore.
Duke zhvilluar sektorët që janë motorët e ekonomisë sonë, ne besojmë në krijimin e vendeve të reja të punës nga biznesi i vogël, prodhimi industrial, turizmi dhe bujqësia.
Ne gjithashtu besojmë në investimin e në krijimin e vendeve të punës të së ardhmes, në teknologjitë e reja. Dhe ne qëndrojmë afër me fermerin, punëtorin e fabrikave, me elektricistin, me kamerierin, sipërmarrësin, lavazhierin, këpucarin dhe të gjithë qytetarët që kërkojnë një jetë më të mirë.
Ne qëndrojmë të bashkuar në besimin tonë se tregu i lirë, konkurrenca dhe taksat e ulëta, krijojnë më shumë vende punë, fuqi më të madhe blerëse dhe një cilësi më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët. Ne besojmë se kemi një përgjegjësi të veçantë për të përgatitur të rinjtë për të konkurruar në tregun europian të punës. Dhe ne jemi të bashkuar në besimin tonë, se të rinjtë duhet të gëzojnë çdo mundësi dhe të gëzojnë lirinë për ta zgjedhur vetë të ardhmen e tyre. Ne besojmë se çdo qytetar duhet të ketë mundësinë ta ndërtojë jetën sipas zgjedhjes personale. Për këtë arsye, ne qëndrojmë të bashkuar jo vetëm në parime dhe qëllim, por edhe në rrugën e zgjidhjes dhe në nisma siç janë ruajtja e taksës së ulët të sheshtë 10 për qind, shtrimi i 4.500 kilometra rrugë të tjera shtesë, krijimin e Gjykatës Administrative, dhe mbështetje në çdo mënyrë të mundshme të Projektit për Gazsjellësin Trans-Adriatik.
Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, besojmë se një Shqipëri e zhvilluar dhe europiane duhet të sigurojë mirëqenie për të gjithë qytetarët. Ne besojmë se qeveria ka një përgjegjësi të veçantë që të mos shkelë kurrë të drejtat natyrale të qytetareve, por qeveria ka gjithashtu përgjegjësi për të mbrojtur më të dobëtit mes nesh. Ne besojmë në një qeveri efiçente, që ofron shërbim cilësor dhe garanton mirëqenien e çdo qytetari. Prandaj, ne qëndrojmë të bashkuar në angazhimin tonë për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, për garantimin, mbrojtjen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, për mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm, për investimin në përmirësimin e arsimit për të rinjtë, për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, dhe mbështetjen për artin dhe rritjen e mundësive për investimin në sport.
Dhe ne qëndrojmë të bashkuar në angazhimin tone për avancimin e grave në shoqëri, mbrojtjen e fëmijëve, asistence për invalidët mbrojtjen e pakicave kombëtare, sigurinë financiare të pensionistëve, nderim për veteranët dhe dinjitet për të papunët dhe shtresat më në nevojë mes nesh.
Ne mbetemi të vendosur për tu garantuar drejtësi për ish të përndjekurit politikë, integrimin dhe dëmshpërblimin moral e ekonomik të tyre. Ne jemi të vendosur për të çuar deri në fund kthimin, kompensimin dhe dëmshpërblimin e shtresës së ish-pronarëve, sipas kritereve dhe standardeve më të mira europiane.
Ne jemi të angazhuar për të siguruar mirëqenien e të gjithë shqiptarëve pa dallim, kudo ku jetojnë, nëpërmjet thellimit të aleancave të NATO-s, inkurajimin e vlerave euro-atlantike dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të veçantë me Kosovën, që shkon përtej miqësisë.
Ne jemi të bashkuar jo vetëm në parime dhe qëllim, por edhe në rrugën e zgjidhjes dhe në nismat për garantimin e ilaçeve në spitale, vendosjen e kompjuterëve në çdo klasë, përdorimin e teknologjive të reja në luftën ndaj krimit; dhe shtimit të vazhdueshëm të numrit të mjekëve, infermiereve, mësuesve si dhe rritjes së pagave të tyre.
Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, besojmë se integrimi është thelbësor për të ardhmen tonë evropiane. Ne besojmë se pas dekadave izolim, Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian dhe se për shumë gjatë, integrimi europian është mbajtur peng nga interesat e ngushta politike mbi interesat kombëtare. Dhe ne nuk do të tërhiqemi, nuk do të pushojmë përpjekjet dhe nuk do të gjejmë paqe, derisa tre ligjet që kërkon integrimi, të jenë miratuar, dhe aderimi europian i Shqipërisë të jetë zhbllokuar.
Ne gjithashtu njohim nevojën e vazhdimit të një qeverisje më të mire, për të siguruar të ardhmen tonë evropiane dhe për t’u dhënë qytetarëve qeverinë që ata meritojnë. Ndaj jemi të angazhuar për transparencë, përdorimin e teknologjisë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për kursimin e parave të taksapaguesve. Jemi të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, duke e bërë qeverinë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve, në garantimin e sundimit të ligjit, reformimin e gjyqësorit dhe profesionalizimin e shërbimit civil, dhe për më shumë autonomi për qeverisjen vendore.
Dhe mbi të gjitha, ne besojmë se qeveria që duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe se zyrtarët duhen të dalin nga vota e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku çdo votë është e numëruar dhe ku dëgjohet zëri i çdo qytetari.
Ne besojmë jo vetëm në parime dhe qëllim të përbashkët, por edhe në rrugën e zgjidhjes dhe në nismat e nevojshme për votimin e tre ligjeve, që aktualisht bllokojnë ëndrrën europiane të shqiptarëve. Ne besojmë në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe vazhdimin e forcimit të sundimit të ligjit.
Si koalicioni për punësim, mirëqenie dhe integrim, ne i qëndrojmë marrëveshjes se interesat e qytetarëve i udhëheqin përpjekjet tona, punën tonë, zgjidhjet, nismat dhe veprat tona. Se interesi i qytetareve është përmbushur kur të arrijmë të ardhmen tonë të zhvilluar europiane, përmes më shume vendeve të punës, mirëqenies dhe integrimit në familjen europiane.
Së bashku me qytetarët, ne do të punojmë për të arritur një Shqipëri të bashkuar, të zhvilluar dhe evropiane.
Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, me vullnet të lirë, të bashkuar në parime dhe qëllim bëhemi pjesë e ‘Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Punësim’.
Për individin, për familjen dhe për vendin tonë”.