E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”

24-04-2013 / Gazeta 55

E Djathta dhe Qendra kanë formatuar aleancën fituese për zgjedhjet e 23 qershorit. 24 parti politike kanë vendosur bashkërendimin e përpjekjeve në një koalicion që shefi e ekzekutivit e quajti “aleanca më e madhe e vlerave në historinë tonë kombëtare”

Berisha: Fitore e thellë dhe e të shkëlqyer - më 23 qershor do të përsërisim vitin 1992

Deklarata e përbashkët e partive/Interesi i qytetareve është përmbushur kur të arrijmë të ardhmen tonë të zhvilluar evropiane

Zyrtarizohet marrëveshja e koalicionit të partive të djathta dhe të qendrës. Në përbërje të koalicionit, i cili do të hyjë në zgjedhjet e 23 qershorit me emërtimin, “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, bëjnë pjesë 24 parti të djathta dhe të qendrës.
Në një ceremoni të veçante, ku merrnin pjesë drejtues të partive pjesëmarrëse në koalicion, anëtarë të tyre, ministra te kabinetit, si dhe qytetarë mbështetës së këtyre forcave politike, u nënshkrua dje pasdite marrëveshja nga 24 partitë.
Në emër të Partisë Demokratike, Ridan Bode lexoi deklaratën e marrëveshjes së koalicionit të djathtë, duke e vënë theksin në tre parimet kryesore mbi të cilat është ngritur kjo aleancë. “Ne angazhohemi në parimin e një Shqipërie europiane përmes 3 shtyllave kryesore, punësim, mirëqenie dhe integrim. Ne jemi të bashkuar për të arritur këto synime për qytetarët. Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshje qëndrojmë të bashkuar në besimin tonë se më shumë vende pune dhe paga më të larta janë thelbësore për një Shqipëri europiane”, deklaroi Bode.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, deklaroi gjithashtu edhe angazhimin për një Shqipëri me të ardhme më të mirë, përmes punësimit dhe mirëqenies, duke lexuar disa nga pikat e programit. “Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje biem dakord se një Shqipëri evropiane nis nga rrugët, portet, energjia etj, dhe ky zhvillim duhet të ndodh në mënyrë graduale. Ne qëndrojmë të bashkuar se më shumë vende pune dhe paga më të larta janë thelbësore për një Shqipëri në progres. Ne besojmë në investimet e huaja, energji dhe infrastrukturë, ne besojmë në hapjen e vendeve të reja të punës”, deklaroi Bode.
Në vijim, ai tha se pas dekadave izolim, vendi i Shqipërisë është integrimi europian, duke thënë se nuk do gjendet paqe deri sa 3 ligjet të jenë votuar. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha njëherazi edhe Kryetar i Partisë Demokratikë të Shqipërisë  tha se kjo është një ditë shumë e veçantë në historinë politike të vendit, pasi realizohet bashkimi i forcave politike, të cilat kanë në themel të programit të tyre, vlerat më të çmuara të individit, të shoqërisë dhe të kombit. “Ne jemi të lumtur që themelojmë sot Aleancën më të madhe të vlerave në historinë tonë kombëtare”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri e cilësoi aleancën e koalicionit, si aleancë e programit, e cila synon tu japë shqiptarëve mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre, mirëqenien e tyre, tu japë Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë të ecin si komb i lirë, të sigurte, drejt të ardhme së tyre më të mirë, të ardhmes evropiane.
Kryeministri Sali Berisha shprehu dje besimin e tij se energjia, përkushtimi, devocioni dhe vendosmëria e forcave politike, të bashkuara në Aleancën për “Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, do të garantojë një fitore të thellë e të shkëlqyer dhe do të përsërisë vitin 1992, kur këto parti hapën së bashku rrugën e lirive për shqiptarët. “Sot, shqiptarët përjetojnë një ditë në historinë politike të vendit, shumë të veçantë, një bashkim të të gjitha forcave politike, të cilat kanë në themel të programit të tyre vlerat më të çmuara të individit, të shoqërisë dhe të kombit. Në ketë kontekst, ne jemi të lumtur që themelojmë sot Aleancën më të madhe të vlerave në historinë tonë kombëtare. Sot, ne tejkalojmë vitin 1992, vit në të cilin ne ishin një lloj fronti, kurse sot paraqitemi si forca politike të strukturuara, si forca politike të cilat kemi operuar mbi platformat tonë në interesin me të mirë të qytetarëve shqiptarë”, tha kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. “Ne zgjodhëm si moto të aleancës sonë punësimin e qytetarëve shqiptarë. Puna, pas familjes është bekimi i Zotit për njeriun. Puna është kushti më kryesor i dobisë së tij, i mirëqenies së tij, i shpalosjes së talentit të tij. Ndaj dhe ne jemi të vendosur që të gjitha reformat tona që do të ndërmarrim të kenë si rezultat final punësimin e qytetarëve tanë. Janë ata që krijojnë prosperitetin, janë ata që krijojnë mirëqenien, janë ata që krijojnë lumturinë  e tyre familjare dhe vetjake. Ne do të bëjmë gjithçka tu krijojnë atyre këtë mundësi. Mirëqenia, pa diskutim është atribut i merituar i çdo qytetari. Në një shoqëri të lirë nuk ka të varfër për shkaqe të tij. Të varfrit kudo që ndodhen kanë si shkak mbështetjen e pamjaftueshme nga shoqëria dhe nga qeveria. Beteja jonë për mirëqenien do të jetë beteja më e fuqishme që ne kemi zhvilluar ndonjëherë. Ne jemi optimistë, ne jemi të sigurt në objektivin tonë, sepse është ky program vlerash i spektrit të partive tona që ka bërë të mundur që në 21 vite në Shqipëri,si në asnjë vend tjetër të Evropës dhe më gjerë, prodhimi i brendshëm të rritet, jo 5, 6 apo 7 por të rritet 11 herë. Mekanizmi ynë është liria. Ne, në këto vite çdo gjë që kemi bërë, kemi pasur një synim të zgjerojmë lirinë  e individit. Pasioni ynë kryesor është liria. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët e lirë të këtij vendi të kenë hapësira për të krijuar mirëqenien për vete, familjen dhe shoqërinë shqiptare”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke folur për shtyllën e tretë të koalicionit, integrimin, kreu i PD-së u shpreh se “Aleanca e integrimit është aleanca e vokacionit perëndimor të shpirtit tonë kombëtar. Nuk gjen në hartën e Evropës, një komb i cili për shkak të paudhësive të tij të ketë paguar më shumë, të ketë paguar çmimin më të lartë për t’ju përmbajtur fillit të shpirtit të tij që është vokacioni perëndimor. Pas gjysmë shekulli diktaturë, shqiptarët u zgjuan me thirrjen ‘E duam Shqipërinë si Europa’ Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë dhe megjithatë prej dy vitesh procesi në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të Evropës u bllokua nga brenda dhe jo nga faktorë të tjerë. Sot, në Uashington, në një konferencë nga më seriozet do të deklarohej botërisht se opozita shqiptare për qëllime politike bllokon procesin e integrimit të vendit të vet dhe të popullit të vet në BE. Sot, në Luksemburg, në mënyrë të përsëritur u deklarua se janë tre ligje që nuk u votuan, ato që bllokuan statusin e Shqipërisë për në BE. Nuk ndodhi askurrkund, ndodhi vetëm në Shqipëri seshe udhëheqja  e sotme e PS ka për platformë, ka për program të vërtetë, testamentin e etërve të vet. Atëherë kjo rrethanë ishte një thirrje, ishte një apel për të gjithë këta zotërinj që janë të ulur sot këtu, të bashkohemi për të bërë çdo gjë, për ta avancuar integrimin e Shqipërisë në BE. Unë jam i sigurt se 23 qershori do të jetë përgjigja më e shkëlqyer e shqiptarëve për axhendën e vet evropiane”. “Sot, ne bashkohemi dhe dua tu informoj këto, se nga 35 parti që morën pjesë në zgjedhjet e 2009, 25 prej tyre janë të pranishme në këtë podium, parti me histori të qartë elektorale, kundrejt halave dhe ngjalave te aleancës tjetër. Kjo është aleanca e vlerave, aleancë e të vërtetave elektorale, aleancë e programit, e cila synon tu japë shqiptarëve mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre, mirëqenien e tyre, Tu japë Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë të ecin si komb i lirë, të sigurt, drejt të ardhme së tyre më të mirë, të ardhmes evropiane. Ndaj dhe ftesa ime për qytetarët shqiptarë, këtë periudhë që kemi përpara le të angazhohemi të gjithë në fushatën elektorale, qytetare, më intensive, më të vendosur në tërë historinë  e këtij vendi. Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur një Aleancë të tillë të bashkuar, siç ka sot dhe të gatshme për të çuar vendin drejt një mandati të ri, drejt një fitoreje të shkëlqyer, më 23 qershor që vjen. Edhe njëherë duhet të dashur aleatë tu falënderoj me shumë respekt dhe mirënjohje të shpreh besimin tim të madh se energjia, përkushtimi, devocioni, vendosmëria e forcave tona polikë te bashkuara në një aleancë të vetme do të garantojë një fitore të thellë, të shkëlqyer, do të përsërisë vitin ‘92 , vitin në të cilin ne hapëm së bashku rrugën e lirisë për shqiptarët”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.

Partitë pjesëmarrëse në koalicionin “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”

Partia Demokratike
Partia Republikane
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Partia Agrare Ambientaliste
Partia Lidhja Demokristiane
Partia Lëvizja e Legalitetit e Shqipërisë
Partia Aleanca Demokratike Shqiptare
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Partia Demokristiane e Shqipërisë
Partia Balli Kombëtar Demokrat
Partia e Minoritetit Grek për të Ardhmen
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
Partia Konservatore Shqiptare
Partia Ora e Shqipërisë
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian
Partia e të Drejtave të Mohuara
Partia Lëvizja Shqipëria e Re
Partia Demokracia e Re
Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
Partia Civile e Shqipërisë

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›