SHBA: Partitë politike të plotësojnë numrin e anëtarëve të KQZ-së

Komisioni i Helsinkit në SHBA, seancë për Shqipërinë
Komiteti i Helsinkit mbajti një seancë dëgjimore për zgjedhjet e 23 qershorit në kryeqytetin e SHBA-ve, Uashington. Philip Reeker, Sekretar për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ngriti shqetësimin e tij për situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke i bërë thirrje partive politike që të plotësojnë numrin e anëtarëve që ky institucion të funksionojë normalisht.
Philip Reeker theksoi se KQZ duhet të jetë e lirë dhe e pandikuar nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe nga Parlamenti.
“KQZ ka përgjegjësinë kryesore për realizimin e zgjedhjeve të lira. Për vetë përbërjen e KQZ, edhe anëtarët që u zgjodhën me marrëveshje partiake duhet të jenë më të bashkëpunueshëm. Vetëm kështu mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Partitë politike duhet të ulen bashkë të gjejnë kompromisin dhe të ofrojnë zgjidhje për një KQZ-në. Ky institucion nuk ka ende aq anëtarë sa duhet që të administrojë zgjedhjet”, theksoi Reeker.
Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen e Shqipërisë drejt konsolidimit të ekonomisë dhe forcimit të ligjit, pavarësisht ngjarjeve të fundit politike.
Ndërsa Drejtori i Divizionit të Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, Elez Biberaj në raportin e tij vuri theksin në rëndësinë e zgjedhjeve në Shqipëri, si një faktor ndikues në raportet me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në.
“Zgjedhjet e ardhshme ofrojnë më shumë mundësi dhe ndryshime për Shqipërinë. Nëse këto zgjedhje nuk realizohen sipas standardeve të duhura rrezikohet një polarizim i mëtejshëm politik në vend dhe një kontekst politik i karakterizuar nga raportet jofunksionale mes dy forcave kryesore politike. Zhvillime të tilla negative rrezikojnë stabilitetin politik në vend dhe komplikojnë marrëdhëniet e Tiranës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian”, theksoi Biberaj.
Ai theksoi rëndësinë dhe mundësitë që krijohen për Shqipërinë nëse realizohen zgjedhje të besueshme, rezultati i të cilave do të certifikohen nga vëzhguesit e brendshëm dhe ndërkombëtarë, si dhe do të pranohet nga shumica e aktorëve.
“Përkundrazi zgjedhjet e besueshme, rezultati i të cilave do të certifikohet nga vëzhguesit e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë, si dhe do të pranohet nga shumica e aktorëve, do të hapin mundësi të reja për vendin. Vetëm kështu Shqipëria do të jetë e aftë të ndërtojë progres politik dhe ekonomik në vitet që vijnë, duke fokusuar rolin e saj si një aktor konstruktiv në rajon dhe të mundësojnë realizimin e perspektivave të saj në BE”, tha Biberaj.