E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës, kallëzim penal për dhunën e këshilltarëve të majtë

07-05-2013 / Gazeta 55

Lëvizja “revolucionare” e Aldrin Dalipit dhe shpurës së majtë

Bashkia Tiranë depozitoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal për disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës me akuzën, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose në shërbim publik”, bazuar në nenet 150 dhe 235 të Kodit Penal. 
“Më datë 03.05.2013, një grup personash në bashkëpunim kanë hyrë me forcë në ambientet e Bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar punonjësit e Policisë Bashkiake që ishin duke kryer detyrën e tyre funksionale, sipas nenit 8 të ligjit nr. 8224, datë 15.05.1997 për ‘Organizimin dhe Funksionimin e Policisë së Bashkisë dhe Komunës’ (i ndryshuar). Këta persona, në bashkëpunim kanë shkatërruar derën kryesore të Bashkisë së Tiranës, duke mundësuar hyrjen me forcë në ambientet e institucionit. Në këto kushte, Bashkia Tiranë, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, i është drejtuar institucionit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për të hetuar në lidhje me këtë rast, në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat e saj ligjore e kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Disa ditë më parë, në tentativë për një mbledhje të jashtëligjshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, këshilltarët e majtë, hynë forcërisht në ambientet e bashkisë.
Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës e cilëson të jashtëligjshme mbledhjen e zhvilluar nga këshilltarët e majtë, ndërsa paralajmëroi kallëzim penal për këshilltarët që shqyen dyert e Bashkisë.
“Bashkia Tiranë bën të ditur se nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare e Këshillit Bashkiak. Bashkia Tiranë njoftoi që dje opinionin publik se nuk ka asnjë njoftim zyrtar dhe të ligjshëm mbi thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ditën e sotme. Bashkia Tiranë dënon dhunën e përdorur nga disa këshilltarë, ndaj institucionit të Bashkisë dhe bën të ditur se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. Të gjithë veprimet dhe deklaratat e sotme (djeshme) të disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik. Bashkia Tiranë i bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës të distancohen nga veprime të paligjshme dhe të dhunshme ndaj institucionit të Bashkisë dhe siguron Këshillin Bashkiak dhe qytetarët e Tiranës se përgjegjësit e veprimeve të sotme antiligjore dhe të dhunshme do të përballen me pasojat ligjore”, bëri të ditur zyrtarisht bashkia e Tiranës, pas mbledhjes së pretenduar të këshilltarëve bashkiakë të majtë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›