SHBA: Po ndjekim detajet e arrestimeve dhe hetimet

Ambasada e SHBA-ve deklaroi sot pasdite se po ndjek nga afër detajet e arrestimeve dhe rreth hetimeve që vazhdojnë në kuadër të operacionit “Monstra” të MPB-së.
“Në mëngjesin e ditës së djeshme kuptuam që janë bërë një sërë arrestimesh në lidhje me vrasjen e pesë personave në afërsi të fshatit Smilkovc muajin e kaluar. Ne po ndjekim nga afër detajet rreth arrestimeve dhe rreth hetimeve që vazhdojnë, siç shpjegoi ministrja për punë të brendshme në konferencat për shtyp të 1 dhe 2 majit”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga ambasada amerikane.
Ambasada e SHBA-ve nënvizon se do të vazhdojë të ndjek situatën me kujdes, dhe ashtu si dhe më parë fton të gjithë qytetarët të mbeten të qetë dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor.
“Është me rëndësi që të gjithë të dyshuarit për këto vrasje të tmerrshme – pa marr parasysh identitetin apo përkatësinë e tyre etnike e fetare – të kenë proces të drejtë të paraparë me ligj me qëllim që të sigurohet që, në fund, drejtësia të fitojë”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane, lidhur me operacionin e arrestimeve nga MPB për vrasjen e pesëfishtë të 12 prillit në afërsi të fshatit Smilkovc të Shkupit.