E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Pritshmëria për vitin e dytë të administratës së presidentit Obama

Barak Obama u inagurua si presidenti i 44 i
Shteteve të Bashkuara një vit më parë mes shpresave në rritje dhe mbështetjes
tejet të madhe nga publiku.  Por viti i
parë i presidentit Obama në Shtepinë e Bardhë është provuar të jetë mjaft
sfidues politikisht. Shtytja e tij për reformimin e kujdesit shendetësor ka ngjallur
opozitën e djathtë, ndërkohë që disa nga mbështetësit liberalë më besnikë  ankohen se zoti Obama ka qënë tejet i gatshëm
për të bërë kompromis. Zoti Barak Obama erdhi në Shtepinë e Bardhë mes një atmosfere shprese dhe
ndryshimi, por i vetdijshëm për problemet e mëdha që po trashëgonte nga
paraardhësi i tij Xhorxh W. Bush.

"Sot ju them
se sfidat që kemi përpara janë të vërteta, serioze dhe të shumta. Ato nuk do të
kapërcehen lehtë dhe brenda një kohe të shkurtër, por ato do të tejkalohen."

Mes sfidave janë dhe ekonomia e dobët, vazhdimi i konflikteve në Afganistan
dhe Irak dhe një angazhimi për të zbatuar premtimin e fushatës elektorale,
reformimin e kujdesit shëndetësor.

Nga fundi i vitit të parë në Shtepinë e Bardhë, zoti Obama u përball me një
katastrofë humanitare në Haiti dhe ridaljen në skenë të një kërcënimi të
vjetër, terrorizmit.

Orvatja e dështuar për të hedhur në erë një aeroplan
amerikan mbi Detroit, provoi të ishte një provë e madhe e administratës kur
flitet për sigurinë kombëtare, e cila është kritikuar nga disa se reagimi ndaj
situatës ishte tejet i ngadaltë.

"Përgjegjësia
bie mbi mua. Si president kam përgjegjësinë solemne për të mbrojtur vendin dhe
popullin tonë. Dhe kur dështon sistemi, përgjegjësia bie mbi mua."

Zoti Obama erdhi në Shtepinë e Bardhë në një kohë kur gëzonte një
mbështetje të madhe publike, por ky popullaritet ka pësuar rënie gjatë muajve
të fundit.

Anketa e fundit e Universitetit "Quinnipiac" gjeti se amerikanët ishin të
ndarë në mënyrë të barabartë me 45 përqind që mbështesnin punën e presidentit
dhe 45 përqind kundër. Peter Brown është me anketën e universitetit.

"Ata e
pëlqenjnë Obamën personalisht. Ata mendojnë se është i besueshëm dhe i
ndershëm. Ata mendojnë se ai është një udhëheqës i fortë. Ata thonë se nuk janë
dakord me të medoemos për çështjet që i shqetësojnë ata më së shumti. Ata
shpresojnë se ai do t'i përkushtohej më shumë ekonomisë. Atyre nuk u pëlqen
projektpropozimi për reformimin e kujdesit shëndetësor."

Shtytja e presidentit Obama për refomimin e kujdesit shëndetësor me ndihmën
e ligjvënësve demokratë pati një efekt galvanizues në politikën amerikane. 

Shqetësimet rreth kostos dhe ndërhyrjes së shtetit në sektorin privat
nxitën zemërimin e bazës konservatore, çfarë mund të ndikojë pozitivisht për
republikanët në zgjedhjet e nëntorit.  Ja
çfarë thotë udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell i shtetit të
Kentakit.

"Kam shpresë
të madhe se një numër i mjaftueshëm demokratësh do të zgjohen dhe do të thonë se
ne nuk duhet t'ja imponojmë këtë popullit amerikan. është një akt tejet
arrogant." 

Anketat e opinionit publik tregojnë se mbështetja ndaj presidentit për
reformën e kujdesit shëndetësor po bie. Por disa analistë politik besojnë se
miratimi i reformës së kujdesit shëndetësor do të ndihmonte eventualisht si
presidentin ashtu edhe demokratët.

Matt Dallek është historian politik me Qendrën për Politika Dypartiake këtu
në Uashington.

"Nëse
presidenti tregon se miratimi i kujdesit shëndetësor është arritje monumentale,
mendoj se kjo do t'i ndihmonte politikisht shumë atij. "

Disa liberal janë të zhgënjyer me kompromiset e presidentit Obama për
kujdesin shëndetësor dhe vendimin e tij për dërgimin e 30 mijë trupave shtesë
në Afganistan. Udhëheqësi i të drejtave civile, Julian Bond thotë se shumë
demokratë shpresonin më shumë tek zoti Barak Obama kur erdhi në Shtepinë e
Bardhë.   

"Askush nuk
duhet të shpresoj që presidenti Obama që trashëgoi dy luftëra, një sistem
fianciar të rrënuar, që trashëgoi të gjitha këto probleme, që të zgjidhë këto
probleme menjëherë. Mendoj se nuk është realiste."  

Analistët politikë zakonisht japin një pasqyrë të përzierë rreth vitit të
parë të presidentit në detyrë.  Larry
Sabato drejton Qendrën për Politika në Universitetin e Virxhinias. 

"Duke patur
parasyshë situatën e rëndë, ai ka patur sukses, kryesisht për dikë që nuk ka
eksperiencë në qeverisje. është mrekulli kur mendon për një njeri që ishte në
Senat vetëm për pak vite, dhe posti tjetër politik ishte senati i Illinoit."  Shumica e ekspertëve mendojnë se republikanët do të përfitojnë në zgjedhjet
kongresionale të nëntorit. Disa demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat
mesa duket do ta detyrojnë zotin Obama që të shtrijë dorën drejt demokratëve
konservatorë dhe republikanëve të moderuar me shpresën e arritjes së një
koalicioni politik për të krijuar mundësinë e miratimit të legjislacioneve në
Kongres gjatë viteve që vijnë. 

//mm//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›