“Operacioni përfundoi me sukses, s’u rrezikua asnjë jetë njerëzore”
Ministri Lulzim Basha publikon raportin paraprak të Komitetit Ndërministror mbi përmasat e përmbytjes dhe operacionet humanitare në zonat e prekuraPas dy javësh nga nisja e përmbytjeve në zonën e Nën Shkodrës, Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile i instaluar në Shkodër, bëri dje publike raportin paraprak mbi përmasat e përmbytjes dhe operacionet humanitare të kryera në zonat e prekura. Duke dhënë shifra për mbi 2 miliard metër kub ujë të derdhur nga Hidrocentralet e kaskadës së Drinit, 11 mijë hektarë tokë të përmbytur dhe 5 mijë e 173 banorë të evakuuar, ministri i Brendshëm Lulzim Basha e cilësoi përballimin e situatës, plotësisht të suksesshme. “Pas 15 ditësh operacion në kushte jashtëzakonisht të vështira, siç kanë qenë dëshmitarë nëpërmjet medieve i gjithë opinioni publik shqiptar, ne sot mund të themi se objektivi kryesor, parësor i këtij operacioni, mos humbja e asnjë jete njerëzore, është përmbushur me sukses të plotë”, u shpreh Basha. Sipas ministrit, situata është përmirësuar dhe niveli i ujit në hidrocentrale është ulur ndjeshëm. “Ky operacion është klasifikuar si i suksesshëm, jo vetëm nga autoritetet këtu, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, për faktin se realizoi me sukses të plotë, objektivin e tij parësor, mos humbjen e jetëve njerëzore. Pas ditëve të tëra përmbytje, situata po shkon drejt një përmirësimi të ndjeshëm, çka e bën më të mundshëm, kthimin e normalitetit në zonat e përmbytura”, u shpreh Ministri Lulzim Basha në konferencën për shtyp. Sipas Bashës, tashmë barra e përgjegjësisë për të menaxhuar operacionet humanitare do të kalojë nga ushtria tek Ministria e Shëndetësisë, e cila do të kujdeset për parandalimin e përhapjes së epidemive. “Deri tani, siç thash, dëmet në bagëti në lopë dhe, në dele, janë minimale, ndërkohë që në ato dëme të evidentuara merren menjëherë masat për higjienizimin e zonës për të shmangur rrezikun e impaktit negativ që mund të ketë në situatën e shëndetit publik”, tha Ministri Basha. Ministri Lulzim Basha garantoi se me gjithë përmirësimin e situatës ushtria do të vazhdojë të jetë në ndihmë të banorëve tub prekur me ushtrime dhe mjete të tjera që mund të nevojiten. Në vijim të përmbledhjes së bilancit, Basha vlerësoi si të suksesshëm operacionin e emergjencave, të cilët bënë të mundur evakuimet, transportimin e ushqimeve, ujë të pijshëm dhe medikamente. “Janë evakuuar 5173 persona dhe transportuar rreth 315 mijë ton ushqime. Sipërfaqja e përgjithshme e përmbytur arrin në 11 400 hektarë tokë, ndërsa nën ujë ndodhën edhe 2649 shtëpi. Por, ndërhyrja e emergjencave ishte e suksesshme dhe situata po shkon drejt normalizimit”, deklaroi Ministri i Brendshëm. Ai shtoi se në prioritetin e Komunitetit ndërministror të emergjencës ka qenë evakuimi i shpejtë i banorëve dhe kujdesi maksimal për forcimin e argjinaturave.Në këtë kuadër ministri i Brendshëm theksoi se operacioni i emergjencës i komitetit ndërministror i emergjencave ka përfunduar me sukses duke realizuar objektivin parësor për të mos humbur asnjë jetë njerëzore. Ndërkohë Basha ka theksuar se janë marrë një sërë masash për banorët duke theksuar se janë dhënë urdhra që banorët të mos konsumojnë ujin e pijshëm të ujësjellësit deri në një urdhër të dytë. Për sa i përket planit të masave të hartuar për dezinfektimin e zonave dhe groposjes së kafshëve të ngordhura Basha nënvizoi se, “ky plan masash është fare i detajuar, përcakton qartë se çfarë masash duhen marrë për ujin e pijshëm, për groposjen e detyruar të gjësë së gjallë, por deri tani dëmi në bagëti është minimal. Por edhe për rastet e raportuara të merren menjëherë masat për higjienizimin e zonës, për të shmangur rrezikun e impaktit negativ që mund të ketë përshëndetin publik”, theksoi BashaMinistri i Brendshëm, siguroi edhe njëherë banorët se qeveria do të shqyrtojë me imtësi çdo dëm të shkaktuar dhe se për këtë janë marrë masat e para nga komisionet e vlerësimit të ngritura në njësitë vendore....