SHBA: Qeveria e re të forcojë shtetin ligjor. Reforma për integrimin në BE
Vjenë- Pas mesazhit të ambasadorit Aleksandër Arvizu, ka ardhur një tjetër mesazh nga shtete e Bashkuara të Amerikës ku vlerësohet procesi zgjedhor. Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Ian Kelly, duke folur para Këshillit të Përhershëm në Vjenë u shpreh se tani që rezultati është bërë i ditur duhet që organet e shtetit të bashkëpunojnë për zhvillimin e vendit.
Tani që populli i Shqipërisë ka bërë të dëgjohet zëri i tij, Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të punojnë sëbashku në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë. Puna e vështirë e ndërtimit të demokracisë nuk mbaron pasi numërohen votat dhe shpallen fituesit. Udhëheqësit politikë do të gjykohen jo nga ajo që thonë, por nga ajo që bëjnë. Pas formimit, nxisim qeverinë e re që të vazhdojë të forcojë shtetin ligjor, të rrisë standardet e të drejtave të njeriut, të promovojë qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të punojë drejt reformash të qëndrueshme demokratike në rrugën konsensuale të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky është një proces i cili, ashtu si përpara këtyre zgjedhjeve, do të kërkojë që edhe ata në opozitë të luajnë një rol konstruktiv, dhe ne kërkojmë angazhimin e tyre edhe në të ardhmen e Shqipërisë,- tha ai.
Më tej ambasadori amerikan ka vlerësuar pjesmarrjen në votime, ndërsa ka bërë thirrje që çdo ankimim që mund të vijë për zgjedhjet duhet të bëhet në mënyrë transparente.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzojmë qytetarët e Shqipërisë për pjesëmarrjen e tyre paqësore dhe aktive në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Anembanë vendit, qytetarët shqiptarë morën pjesë masivisht për të ushtruar atë që e konsiderojmë të drejtën demokratike më bazike të drejtën e votës. Mbështesim misionin e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR si dhe vlerësimin e përbashkët nga ODIHR, Asambleja parlamentare e OSBE-së, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, të cilët vlerësuan se qytetarët shqiptarë kanë shprehur lirisht vullnetin e tyre në kutinë e votimit. Nxisim autoritetet që të finalizojnë numërimin dhe të trajtojnë çdo ankimim në mënyrë transparente, të shpejtë dhe në përputhje me shtetin ligjor,- vijoi ai.