Wollfarth mbyll misionin në Shqipëri: Arritët një shkallë të lartë dinjiteti
Tiranë- Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth ka mbyllur misionin e tij tre vjeçar dhe për këtë arsye shumë shpejt do të largohet. Ditën e sotme në shenjë falenderimi ai zhvilloi në ambientet e hotel Tirana International një pritje me politikanë, gazetarë dhe shumë figura të njohura të popullit shqiptar.
Në fjalën e tij para të pranishmëve ai nuk la pa përmendur dhe procesin zgjedhor në vend, duke deklaruar se ishte një proces i qetë dhe rezultati u pranua nga të gjitha palët, duke cilësuar këtë si një arritje të Shqipërisë.
Do doja që në prani të të ftuarve të thosha që jam shumë i emocionuar, puna jonë është bazuar tek puna në ekip dhe bëhet për Shqipërinë, për të ardhmen e saj. Misioni im është i përmbushur, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike zgjedhjet prodhuan një rezultat të qartë dhe të pranueshëm dhe duhet përgëzuar mënyra e pranimit. Më gëzon fakti që Shqipëria është në një fazë të re, në një shkallë më të lartë dinjiteti,- tha ai.
Ai ka njoftuar se puna e tij si ambasador do të vijojë dhe shteti i radhës ku ai do të shkojë është Kuvajti. Pak më herët Wollfarth zhvilloi një takim me të gjithë ambasadorët e BE-së të akredituar në Tiranë.