SHBA-Rusi, bisedime produktive për çarmatimin
Shtëpia e Bardhë tha se negociatorët amerikanë dhe rusë kanë zhvilluar bisedime produktive për të arritur një marrëveshje të re mbi çarmatimin bërthamor. Moska dhe Uashingtoni po përpiqen të hartojnë paktin, që do të zëvendësojë marrëveshjen e arritur në vitin 1991 dhe që përfundoi në dhjetorin e kaluar, të njohur me shkurtesën START. Shtëpia e Bardhë tha se Xhejms Xhons, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Barak Obama dhe shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, admirali Majk Mullen zhvilluan bisedime dy ditore me dyer të mbyllura me kolegët e tyre rusë në Moskë.
Debati për Google, Obama kërkon shpjegime nga Kina
Grindjet amerikano-kineze për internetin vazhdojnë të ashpërsohen. Presidenti amerikan Barak Obama foli i shqetësuar për sulmet pirateske të bëra nga Kina kundër koncernin amerikan “Google”. Presidenti amerikan tha se pret shpjegimet përkatëse nga Kina. Ministria e Jashtme amerikane bëri ndër të tjera të ditur se midis diplomatëve amerikanë dhe atyre kinezë janë mbajtur takime për të diskutuar për sulmet në internet. Në një fjalim të mbajtur në Uashington, ministrja e Jashtme amerikane Hilari Klinton u kërkoi firmave të internetit në SHBA që t`i kundërvihen rregullave të censurës të vendosura nga regjimet autoritare në botë.
25 Janar 2010