E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Suli, rikthehet kampioni

“E lë sportin kur të kem marrë edhe një medalje tjetër. Do t’i çudis të gjithë”. Peshëngritësi i madh Ilir Suli me vendin e pestë në Lojërat Olimpike “Sidnej 2000” është sportisti shqiptar me rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë në gjashtë përfaqësime olimpike të Shqipërisë ka rifilluar stërvitjen me
Një arritje, që përbën edhe “rekordin kuqezi” në arenën më të madhe botërore, siç konsiderohen olimpiadat, atje ku “piketohen” të gjitha ëndrrat e gjeneratave të tëra sportistësh. “E rëndësishme të marrësh pjesë”, thuhet zakonisht. Por, për Ilir Sulin e rëndësishme është të jesh i suksesshëm. Vendi i tretë në stilin e shkëputjes (një bronz), por i pesti në dygarësh, atje dhe ku klasifikohet renditja e përgjithshme e ndahen medaljet. Kampioni i madh nën drejtimin e trajnerit Hektor Shaqiri ka rifilluar ethshëm stërvitjen me synim për të koleksionuar të tjera medalje në nivel ndërkombëtar. Duart e Sulit pas një shkëputje nga hekurat kanë filluar sërish të zënë kallo dhe shtanga në krahët e nënkampionin e Botës dhe Europës duket se “ngrihet” vetë në ajër. Ilir Suli konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e shtangës shqiptare. “Albania”” bisedoi me 29-vjeçarin, dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, në “Atlanta 1996” dhe në “Sidnej 2000”

Suli, jeni dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, ato “Atlanta 1996” dhe “Sidnej 2000”, duke qenë edhe olimpisti i vetëm shqiptar që keni mundur të renditeni ndër pesë më të mirët në botë, çka përbën edhe rezultatin më të mirë të Shqipërisë në gjashtë pjesëmarrjet olimpike. Keni disa javë që keni rifilluar stërvitjen, si po e ndjeni veten në këtë “bashkëpunim” të ri me shtangën?

Më vjen keq ta nis me një fakt jo të këndshëm. Nëse në ndeshjen e Gramozi-Real Madrid u ndërprenë dritat për një orë e gjysmë dhe u bë bujë e madhe, duke u angazhuar edhe institucione të ndryshme qeveritare dhe jo të tilla, në palestrën ku unë po vazhdoj të stërvitem ka rreth tre muaj pa drita. Jam duke punuar shumë fort dhe seriozisht për të qenë pjesëmarrës dhe medalist në një aktivitet ndërkombëtar shumë të rëndësishëm siç është Kampionati Botëror i peshëngritjes, i cili do të mbahet në muajin shtator të këtij viti në Turqi. Në këtë Botëror dua të jap të gjitha për gjithçka. Është si të thuash një garë për “liri apo vdekje”.

Je duke u stërvitur me trajnerin Shaqiri, më të cilin punon edhe Romela Begaj, peshëngritësja më e mirë shqiptare femër, vendi i gjashtë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Si mund të jetë raporti midis dy peshëngritësve të famshëm?

Të dy si Romela, ashtu dhe unë jemi duke punuar me trajnerin Hektor Shaqiri, një prej trajnerëve më të mirë shqiptarë të shtangës. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera bashkë dhe ndihmojmë jo pak njëri-tjetrin. Personalisht, u bënë gati njëzet vjet që punojmë së bashku dhe më të kam arritur të gjitha sukseset e mia, si nënkampion botë, nënkampion i Mesdheut, apo dhe në olimpiadë. Duart më janë bërë sërish me kallo dhe muskujt po rimarrin fuqinë e duhur. Stërvitja është intensive dhe regjimi që po mbaj është i fortë. Përfitoj nga rasti tu kërkoj falje sportdashësve që për kohën që kam munguar nuk kam bërë më shumë, por shpresoj se do t’ua shpërblej. Si po ecën stërvitja. Jam duke u ushtruar në peshën time deri në 85 kg. Dua të theksoj se brenda javës së parë të stërvitjes kam ngritur 200 kg. Me pak fjalë më ka krijuar zoti për tu marrë me peshëngritje. Dua të rivendos nderin dhe të rifitojë respektin jo vetëm të sportdashësve, por dhe të kolegëve. Në 3 mars në Elbasan do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë dhe aty do të vlerësoj edhe gjendjen time në situatë gare. Nëse çdo gjë do të ecë mirë në Botëror, atëherë do të synoj edhe Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Gjithsesi, gjërat merren me radhë.

Lojërat Olimpike të “Atlanta 1996”, duket se janë larg në kohë, por njëherësh ka qenë edhe prezantimi juaj i madh në evenimentin më të madh sportiv të globit. Si i kujtoni atë pjesëmarrje?

Në Lojërat Olimpike të Altantës, atëherë 20 vjeç, shkova vetëm me dy javë stërvitje intensive, kjo dhe për shkak të natyrës sime si sportist rebel. Nuk e kam pasur shumë qejf regjimin, por megjithatë ngrita 147 kg në shkëputje dhe 175 kg në peshën 75 kg. Atëherë e kuptova se mund të bëja diçka të rëndësishme në sportin e peshëngritjes.

Lë të kthehemi të “Sidnej 2000”, vendi i pestë në Olimpiadë, njëherësh edhe rezultati më i madh i Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Çfarë ju mungoi për të marrë medaljen e parë të Shqipërisë?

Që të marrësh medalje në Lojërat Olimpike duhet të jesh i shumë i përgatitur, por dhe i pjekur si sportist. Këtë përfundim e kam nxjerrë prej kohësh. Në atë kohë kam qenë vetëm 23 vjeç. Isha i ri dhe mundësitë ishin, por një sportisti për të qenë i madh i duhet edhe të jetë i matur. Dhe këtë maturi ta jep përvoja. Në fakt, është për të ardhur keq, sepse konsideruan si dështim. Në fakt, duhet ta pranoj se edhe jam nxituar pak e fajësoj veten. Tani kam filluar ti marr gjërat ngadalë. Në shumë media përpara se të niseshim në Australi u fol për medalje, pasi dhe unë kisha arritur rezultate shumë të larta gjatë fazës përgatitore, madje 5 kg më shumë se rekordi botëror dhe shtangisti që morri medaljen e artë në peshën time. Rekordi botëror ishte 170.5 kg në shkëputje, ndërkohë që unë kisha shkuar edhe 175 kg. Në provën e dytë që u dogja në 167 kg, atëherë nuk e thashë si argument për t’u shfajësuar për vendin e pestë, tentova të barazoja rekordin olimpik, por pa mundur ta ngre shtangën. Më pas çdo gjë shkoi ters, pasi nuk e realizova provën e tretë. Shikoni, kinezi që u shpall kampion olimpik e mbaroi garën me 160 kg, kur unë e nisa garën me 162 kg.

Peshëngritësi Luan Shabani, që edhe ky si Pirro Dhima ka garuar për Greqinë në Lojërat Olimpike, ka thënë dikur se Iliri me këmbët më të forta në botë, edhe më të fortë se te Pirro Dhimës. ai mund të bëja çudira nëse do të dijë t’i menaxhojë cilësitë e tij. Sa ju ngacmon ky vlerësim?

Pa dyshim që më kënaq ky vlerësim dhe për më tepër nga një peshëngritës i madh si Luani, pavarësisht se i ka arritur me flamurin grek. Është një supertalent dhe miku im. Shumë specialistë më kanë cilësuar si te ‘superfenomenët’. Kjo është një dhunti e zotit dhe nga ana tjetër e përkujdesjes së familjes sime. Një peshëngritës i madh rus më tha një ditë ‘ti mor djalë nuk ngre hekura, ti bën art me to”.

A keni garuar kundër ndonjë shqiptari tjetër në Olimpiada?

Po, kundër Viktor Mitros në “Sidnej 2000”, por ai mbante fanellën e Greqisë. Ai doli nënkampion atje, duke ngritur 165 kg në shkëputje dhe 202 kg në shtytje. Përsa i përket Piro Dhimës shumë specialistë kanë thënë se unë mund ta mundja atë. Por, do të ishte kundër moralit tim ta pohoja unë vetë këtë gjë, përderisa edhe nuk kemi garuar kundër njëri-tjetrit. Një fakt është se Pirro në “Athinë 2004”, ai ka marrë medalje (bronzi) me 2.5 kg më pak se ajo që kam arritur unë në rekordin tim personal në dygarësh. I atij është 175 kg e 202 kg, ndërkohë që rekordi im, njëherësh edhe kombëtar është 175 kg e 205 kg.

Sulët, një histori “hekurash”

Mbiemri Suli është një nga më të njohurit në peshëngritjen shqiptare, si për meshkujt ashtu dhe për femrat. “Po është e vërtetë, - thotë Iliri, - xhaxhai im Agroni ka qenë një trajner i zoti. Gerta, vajza e xhaxhait tim, ka qenë një peshëngritëse e njohur dhe hahej me Fetien (Kasaj). Tashmë e ka lënë sportin dhe ka bërë mirë sipas mendimit tim, pasi nuk kam dashur që ajo të merrej me peshëngritje. Hyri me dëshirë dhe doli po me dëshirë. Nuk më pëlqen peshëngritja për femra. Me hekura janë marrë dhe dy djem xhaxhallarësh. Erion Suli, i cili ka qenë edhe anëtari i ekipit kombëtar. Ka vdekur para disa vitesh”.

60 gramët e “Almeria”-s që i hoqën arin

Ish-nënkampioni i Botës dhe i Europës, Iir Suli, humbi titullin vetëm për 60 gram peshë trupore, në stilin e shkëputjes, pesha 85 kg, ndaj libanezit Eshtivi në Lojërat Mesdhetare "Almeria 2005". Të dy ngritën nga 167 kg. Suli ishte 84.84 kg, ndërsa libanezi 84.78. Në vend të tretë doli francezi David Matam me 163 kg. Në shtytje, shtangisti ynë, mori medaljen e bronzit. Ilir Suli ka treguar edhe një herë talentin e tij te madh, duke marre medaljen e argjendit në stilin e shkëputjes, pesha 85 kg. Në “Almeria 2005”, Suli fitoi një medalje argjendi dhe një bronzi. Ilir ka marrë është përzgjedhur “Nderi i Tiranës” dhe me “Medalje ari” nga Ministria e Sporteve

Këshilla e kampionit

“Brezat duhet të mësohen me shembujt më të mirë, me emrat më të mëdhenj, dhe të mos ndikohen nga emrat e huaj, por nga ata që nxjerr Shqipëria, pasi këtu jetojnë. Në Shqipëri ke një Erkand Qerimaj e një Romela Begaj, apo dhe një Aleksandër Kondon. Shqipëria ka pasur breza të mirë shtangistësh, ka pasur më nivel, më shumë konkurrencë, kurse si rezultate ka më shumë ky i sotmi. Unë kam idhull Luan Shabanin”.

Suli, vendi i
5-të në “Sidnej 2000”

Ilirjan Suli është peshëngritësi shqiptar që ka mundur të arrijë rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike. Suli, i cili garoi në peshën deri në 77 kg, me 355 kg të ngritura në dygarësh, zuri vendin e pestë në Lojërat Olimpike të Sidnejit në vitin 2002. Medaljen e artë në këtë peshë e fitoi kinezi Zhan Xugang (367.5 kg në dygarësh) dhe atë të argjendit e fitoi shqitpari i natyralizuar si grek, Viktor Mitro (Viktor Mitrou) po me 367.5 kg. Në peshën 85 kg, medaljen e artë në Sidnej e fitoi shqitpari i natyralizuar si grek, Piro Dhima (Piros Dimas) me 390 kg në dygarësh. Për peshën 62 kg, shqitpari i natyralizuar si grek, Luan Shabani (Leonidas Sabanis) fitoi medaljen e argjendtë (317.5 kg).

Romela, nga artiste
cirku e 6-ta në botë

Peshëngritësja e talentuar Romela Begaj, e para femër shqiptare e “hekurave” në Lojërat Olimpike, u rendit e gjashta në dygarësh (e 4-ta në stilin e shkëputjes dhe e 7-ta në atë shtytjes), duke bërë edhe përfaqësimin më të mirë nga 11 sportistët pjesëmarrës në Lojërat e 29-ta Verore. Kur Romela Begaj përfundoi garën e saj në Lojërat Olimpike të Pekinit (2008), shqiptarja e bukur, fotografët e gjithë botës fiskuan përjetësisht në celuloid një rrotullim të saj tipik për një gjimnaste. Fotoja bëri xhiron e botës, duke zbuluar edhe një të kaluar jo pak interesante të saj: artisten e cirku të Tiranës.

Pampuri, kampioni i parë botëror

Ymer Pampuri, sipas sekretarit Kraja, mund të konsiderohet edhe si peshëngritësi i parë i madh i shqiptar. Pampuri, sot 65 vjeç, në Lojërat Olimpike të Munihut (1972) vendosi një rekord olimpik duke ngritur, më 29 gusht të vitit 1972, 127.5 kg, duke qenë njëherësh edhe kampioni i parë shqiptar i botës, përsa i përket peshëngritjes. Një arritje fantastike kjo gjatë regjimit komunist. “Mbetet një sportist i madh dhe i respektuar”, - thekson Kraja.

BREZI I PARË
Po i brezit të parë të peshëngritjes është edhe Përparim Feruni. “Shqipëria është një shembull i mirë në Europë”, Vendi ynë ka nxjerrë një numër të madh sportistësh cilësorë dhe ka krijuar shkollën e tij të peshëngritjes”,- thotë drejtori teknik i FSHF-së, Përparim Feruni, i cili dhe vetë ka qenë një sportist i nivelit të lartë në peshën deri në 60 kg dhe me një karrierë të gjatë 15-vjeçare. Ymer Pampuri, Gudar Beqiraj, Vasil Hoço, Hysen Cenaj janë emrat e mëdhënj të viteve 1970-1980.

BREZI I DYTË
Lista e të mëdhenjve që kanë konkurruar denjësisht në aktivitete ndërkombëtare vazhdon me Muharrem Berisha, Mirjan Hakani, Aleksandër Kondo, Erlin Nikolla, Fatmir Bushi, Arben Kokonozi, Agron Haxhihyseni, Adem Toska, duke fituar medalje në Europë, përfshirë kampionatet europiane, ballkanike apo Lojërat Mesdhetare.

BREZI I TRETË
Sipas Krajës, në brezin e dytë mund të rreshtohen Piro Dhima, Luan Shabani, Viktor Mitro, Agim Xhelili, Robert Daka dhe Lefter Koka.

BREZI I KATËRT
Ilir Suli, Ilir Kafarani janë më të spikaturit e këtij brezi.

BREZI I PESTË

Erkand Qerimaj, Gert Trasha, Theoharis Trasha, Taulant Çerepi, Ervis Tabaku, Arjan Bershanaj, Andri Haxhihyseni, Zylyf Zylufi, Fetije Kasaj, Romela Begaj.

BREZI I GJASHTË
Daniel Godelli, Xhulio Prroni, Hysen Pulaku, Romario Avdiaj, Arduen Hoxha, Krenar Shonaj, Sherjana Ruci.

25 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›