E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, spikat lufta për mbijetesë

Prof.dr.Miço Papadhopulli*

Analiza e fazës së parë të kampionatit të futbollit të Superligës gjatë 17 javëve të para ka shumë vështirësi për të dalë në konkluzione reale, sepse kërkohen jo vetëm të dhëna të mara nga ndeshjet e zhvilluara, por dhe nga drejtime të tjera të përgatitjes së futbollistëve.
Kjo analizë e pjesshme duhet filluar nga analiza e garës së kampionatit, e cila na jep mundësi t’i drejtohemi fillimisht tabelës së klasifikimit të kësaj faze prej 17 ndeshjesh.

OBJEKTIVA TË KUNDËRTA
Tabela e klasifikimit të ekipeve në këtë fazë flet për luftën sportive për të fituar titullin kampion ose mosdaljen nga kategoria, etj..
Është interesante si asnjëherë tjetër. Në këtë tabelë shohim një renditjeje të ekipeve jo të zakontë, sepse lufta për titullin kampion ose zënien e një vendi nderi në klasifikim është e zbehtë. Kryeson me të drejtë, i vetmi, ekipi i Dinamos, me 42 pikë, me diferencë prej 12 pikësh nga ekipi i Besës, që zë vendin e dytë në këtë tabelë klasifikimi.
Karakteristikë kryesore e garës së kësaj faze të kampionatit, është se lufta për titullin kampion nuk bëhet nga ekipet e njohura, Tirana, Flamurtari, Vllaznia, Besa, etj, sepse lufta sportive në ndeshjet e kësaj faze bëhet më shumë për të mbijetuar në Kategorinë Superiore, për t’ju larguar zonës së ftohtë që të çon një kategori më poshtë.
Nga java në javë, tetë skuadrat e këtij kampionat, që renditen nga vendet 9-12, pra poshtë katërshes kryesore, Dinamo, Besa, Tirana e Apolonia, ndërrojnë vendet në tabelën e klasifikimit.
Ky rivalitet ekipesh është jo progresiv, por regresiv për ekipet të cilët luftojnë për të mos dalë nga Kategoria Superiore, e që flet për gjendjen sportive dhe nivelin jo të kënaqshëm të ekipeve në këtë fazë të kampionatit.
Duhet të dallojmë këtu skuadrat e Besës, Tiranës, Apolonisë, Teutës, pavarësisht nga pikët, luftojnë për të zënë një vend, për të marrë trofetë e zënë një vend në eliminatoret e kompeticioneve europiane të klubeve.
Ekipet si Shkumbini, Laçi, Kastrioti, Vllaznia, Skënderbeu, Flamurtari dhe Gramozi, bazuar në pikët e mara në ndeshjet e zhvilluara, me diferenca të vogla pikësh midis tyre në ndeshjet e gjysmë të fazës së dytë, përjashto Shkumbinin e Laçin me nga 21 pikë, të tjerat më poshtë e kanë të vështirë të ngjiten për të pretenduar për titull ose për vende nderi.
Tabela e klasifikimit me të dhënat e saj në pikë, fitore, barazime, humbje, shënimin e golave, në këtë fazës tregon për një nivel jo pozitiv të paraqitura në këto 17 ndeshje.
Një e dhënë sinjifikative është raporti negativ i golave të shënuar dhe të marrë. Ekipet që renditen nga vendi i pestë në klasifikim deri në atë të fundit kanë marrë më shumë gola se sa kanë shënuar, një e dhënë që flet për tendencën e lojës në mbrojtje dhe paaftësinë për të zhvilluar lojën sulmuese, që siguron shënimin e golave, fitoren dhe spektaklin sportiv.
Duhet theksuar si pozitive, se kjo fazë tregoi se ekipet e futbollit si Laçi, Skënderbeu, Kastrioti e Gramozi, të ardhura në Kategorinë Superiore në këto dy vitet e fundit zhvilluan me ekipet Tiranës dhe të Dinamos ndeshje të nivelit të mirë dhe dinjitoze, e cila tregon edhe rritjen e këtyre ekipeve, të denja për të konkurruar në këtë kategori.
Njëkohësisht duhet theksuar se kjo rritje nuk ka ardhur si rezultat i prodhimit të lojtarëve të talentuar dhe të aftë vendas, por nga furnizimi i merkatos dhe rritjes së anës financiare në blerjen e lojtarëve nga skuadrat e tjera pa mohuar punën e mirë të bërë nga klubet dhe trajnerët përkatës.
Këto janë anë pozitive, se japin mundësi zhvillimin e futbollit në këto qytete në aktivizimin masiv dhe cilësor të futbollistëve të rinj dhe krijojnë entuziazëm, te sportdashësit.

GARA PA NIVEL
Gara e kampionatit nuk paraqiti lojën e futbollit me nivelin e kërkuar në futbollin bashkëkohor si art demonstrimi tekniko-taktik, si spektakël, si forcë e madhe lëvizëse progresive, si garë nxitëse për të rritur nivelin e futbollit, nga e cila mësojnë trajnerët dhe futbollistët se si duhet të stërviten , të përgatiten për t’i dhënë sportdashësve spektakël me nivel të lartë dhe garë konkurruese.
Duke folur si u paraqitën komponentët e përgatitjes së futbollistëve me të dhëna të sakta nga ana fizike, teknike, taktike e psikologjike, me çka paraqitëm më lart tregon se në futbollin tonë në përgjithësi ka shumë boshllëqe dhe kemi një lojë të standardizuar në nivelin e përgatitjes, që flet për mungesë rritje në këtë drejtim. Në drejtim të nivelit të lojës shihet një lloj barazitizimi midis ekipeve, pavarësisht nga vendet në tabelën e klasifikimit.
E kemi të vështirë të bëjmë krahasime në drejtim të përgatitjes fizike, kur në një lojë futbolli të ekipeve europiane, futbollistët arrijnë një volum vrapimesh prej 11-13 km, në të cilën zënë një vend të konsiderueshëm cilësia e shpejtësisë së vrapimeve, rezistenca anaerobike laktacide, forca e shpejtë që u japin mundësi lojtarëve të kryejnë një lëvizshmëri të madhe në realizimin e fazave të lojës në sulm dhe në mbrojtje.
Unë jam dëshmitar në punën e trajnerit tonë, duke u bazuar në dobësitë e shfaqura në drejtim të përgatitjes fizike, i japin prioritet përgatitjes fizike në të gjithë futbollin shqiptar, por pengesë në këtë drejtim është se lojtarët që vijnë në Kategorinë Superiore janë të pa kompletuar jo vetëm fizikisht, por dhe nga ana teknike e sidomos taktike. Ky është një defekt i madh i futbollit tonë. Në futbollin e moshave bëhet një përgatitje e pamjaftueshme fizike, teknike, taktike. Dobësi të theksuara në zgjedhjen, seleksionimin dhe në përgatitjen e talenteve. Gjatë të gjithë fazës së parë, duke përjashtuar Elis Bakajn si golashënues, nuk pamë lojtarë të rinj të talentuar, sidomos sulmues ose mesfushorë dispeçer, organizator që mund të debutojnë në 11-shin e ekipit tonë Kombëtar.

DOBËSITË FIZIKE
Në futbollin e ekipeve të Superiores, duhet të ketë superioritet përgatitja specifike fizike në kushte loje, sepse në qoftë se futbollistëve e të rinjve ndeshja i shërben përgatitjes, stërvitjes së tyre, në ekipet e të rriturve ndeshja i shërben ndeshjes, domethënë të këtë prioritet tekniko-taktik në kushte loje.
Në drejtim të anës teknike shihen dobësi të theksuara në përdorimin e shpejtë të topit, e cila bëhet bazë në realizimin e veprimeve taktiko-teknike. Mangësitë teknike në përdorimin e topit sjellin mungesa të theksuara në vonesën e organizimit të manovrës taktike, ulin ritmin e lojës, i japin mundësi kundërshtarit të rreshtohet e të mbrohet në mënyrë masive.
Nuk mësohet dhe përvetësohet teknika e futbollit në moshën e Kategorisë Superiore, por në moshën e aksilirimit të madh biologjik, fiziologjik, në moshën e fëmijërisë, para dhe gjatë adoleshencës. Dihen pra konsekuencat e mungesës së përgatitjes teknike, kjo duket qartë në ndeshjet e zhvilluara, në gabimet e pasimet e topit dhe sidomos në goditjet e topit në portë. Në përgatitjen tekniko-taktike rol të rëndësishëm luan mungesa e infrastrukturës, fushat dhe bazës materiale didaktike.
Komponenti që nuk i jep mundësi futbollistëve tanë të debutojnë me cilësi të lartë në ndeshje, e të realizojnë lojëra me nivel të lartë demonstrimi janë dobësitë në drejtim të anës taktike. Loja e futbollit si art demonstrimi realizohet nëpërmjet taktikës, sistemit të lojës, stilit të lojës, platformës së varianteve taktike, llojeve të ndryshme të manovrave taktike, etj..
Taktika është komponenti që zhvillon lojën të cilën neve e shohim shumë qartë në veprimet mbrojtëse dhe sulmuese që zhvillojnë lojtarët në ndeshje.
Aftësitë e trajnerëve në të gjithë futbollin botëror vlerësohen në drejtimin taktik, që është i vetmi komponent që të jep mundësi të realizosh lojën me sukses në fazën mbrojtëse dhe sulmuese dhe të arrish fitoren e ndeshjes.
Fatkeqësisht, lojtarët e futbollit tonë si në drejtimin teorik dhe praktik kanë njohuri dhe shprehi taktike të pakta si në drejtimin e elementëve të taktikës individuale dhe të ato të taktikës kolektive.

TAKTIKA E LOJËS
Është fatkeqësi që komponenti taktik në futbollin tonë përkufizohet dhe identifikohet me rreshtimin e lojtarëve në fushë, domethënë me skemën e sistemit të lojës. Loja është komponent më i gjerë se taktika, është arti i të luajturit që realizohet nga një kompleks komponentësh, kurse taktika që realizon artin e lojës nuk është identike me sistemin e lojës, sepse rreshtimi i lojtarëve në fushë është shasia e zbatimit të taktikës me variantet e saj të shumta.
Në ndeshjet e zhvilluara të këtij kampionati, lojtarët në përgjithësi luajtën me rreshtimin e lojtarëve në fushë, me skema të ndryshme, në të cilën dominon 1-4-4-2 dhe jo me variante të planifikuara dhe të realizuar dhe të lidhur me kundërshtarin e ndryshëm. Kjo mënyrë e lojës zhvillohet me improvizimet e lëvizjeve të ndryshme në lojën mbrojtëse dhe sulmuese dhe jo sipas ideve të planifikuara të variantit taktik të dhënë nga trajneri.
Përderisa në lojën mbrojtëse dallohet rreshtimi dhe zbatimi i varianteve në lojën mbrojtëse në zonë ose të kombinuar, kurse në sulm të gjitha veprimet kryhen me anë të improvizimeve dhe nuk dalin qartë variantet e ndryshme taktike në përshtatje me kundërshtarin e dhënë.
Në futbollin tonë dominon loja në mbrojtje, të përforcuar me dobësi në organizmin e aksioneve ose të manovrave taktike, mospjesëmarrje e të gjithë skuadrës në fazën sulmuese, kjo ka bërë që të varfërohet numri i lojtarëve në fazën sulmuese në një minimum me një ose dy sulmues, duke mos i dhënë mundësi realizimit të lojës sulmuese në bllok me pjesëmarrjen e të gjithë skuadrës në të dy fazat e lojës, skuadra në mbrojtje dhe skuadra në sulm.

SULM I VARFËR
Mungesa e shënimit të golave në futbollin tonë vjen nga mungesa taktike e lojës sulmuese, e cila realizohet me dy-tre sulmues e që jep mundësi të depërtosh në mbrojtjet masive. Në përgjithësi mesfushorët qëndrojnë në zonën e mesit të fushës dhe nuk kalojnë në atakun e parë, kurse mbrojtësit anësorë shumë rrallë kalojnë në fazën sulmuese.
Kjo nuk duhet përgjithësuar. Shihen përparime në drejtimin taktik tek skuadra e Dinamos, Tiranës, Besës e Apolonisë, por lojtari nuk është mësuar të realizojë me improvizim funksionin e vendosjes në fushë mbi bazën e variantit të dhënë nga trajneri për mungesë të disiplinës taktike ose e kundërta e liberalizimit taktik.
Duhet të jemi objektivë se nuk është e lehtë të përgatitësh nga ana taktike skuadrën e futbollit në ligën Superiore, sidomos kur mbas çdo faze ndërrohen lojtarë dhe trajnerë dhe merren shumë lojtarë që ndikon ndjeshëm në harmonizimin taktik të ekipit, e cila është baza e përgatitjes taktike.
Mungesa e duhur e përgatitjes teorike dhe e shprehive praktike- taktike për të realizuar me efektivitet elementët e taktikës individuale dhe kolektive të lojtarëve nuk i jep mundësi atyre të realizojnë një diapazon të gjerë të lëvizjeve në fazën sulmuese dhe atë mbrojtëse, duke mos shfaqur bagazhin e përgatitjes së duhur taktike, shtojmë këtu dhe mungesën e aftësive improvizuese të lojtarëve për të zgjidhur individualisht ose në grup situata të shumta të papritura të lojës së futbollit.
Sot në futbollin europian modern përgatitja taktike është prioritare e cila zë vend të rëndësishëm në përgatitjen e futbollistëve të Kategorisë Superiore.
Në fund të muajit janar fillon faza e tretë e kampionatit me 16 ndeshjet e tjera deri në përfundim të kampionatit. Periudha përgatitore specifike e muajit janar është shumë e rëndësishme, e cila besoj se është vlerësuar mirë duke i dhënë prioritet përgatitjes specifike për të arritur dhe ruajtur formën sportive tekniko-taktike, pasi koha e shkurtër e kësaj përgatitoreje nuk siguron sa duhet përgatitjen e duhur për të zhvilluar pesë ndeshjet e fazës së dytë, që janë vendimtare në klasifikimin e ekipeve të fazës së tretë, e cila i rreshton ekipet sipas klasifikimit në dy gjashtëshe me një short jo të barabartë. Shpresojmë që kjo fazë të japë një nivel më të lartë se ajo e fazës së parë të këtij kampionati.

* Mjeshtër i Madh, President Nderi i FSHF-së

25 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›