Zanieri i drejtohet KS-së: “Situata në Kosovë e qëndrueshme, por e brishtë”
Gjendja në Kosovë është e qëndrueshme, por ende e brishtë. Kështu deklaroi shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri në takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Zona më problematike sipas tij, vazhdon të mbetet Veriu, si një qendër e tensioneve të vazhdueshme ndërmjet serbëve të Kosovës dhe komuniteteve shqiptare. Ai përmendi disa raste në këtë pjesë të shtetit të ri, ku ka pasur përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve. Ndërtimi i shtëpive nga shqiptarët përtej vijës së rënë dakord nga administrata e UNMIK-ut në Kosovë, tha ai, shkaktoi zemërim tek serbët të cilët i vunë zjarrin një makine. “Është e qartë se UNMIK-u duhet të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e rindërtimit dhe vëzhgojë situatën nga afër, për tu siguruar se të gjitha komunitetet respektojnë marrëveshjet ekzistuese për të siguruar stabilitetin dhe mbarëvajtjen e komunikimit të efektshëm”. Në raportin e fundit të detajuar për Seketarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, thuhet se ndërkohë që tensionet kanë rënë dukshëm në veri të vendit, ende vazhdojnë të ndodhin incidente në Mitrovicën veriore, që është një shkak për t’u shqetësuar. Zanieri tha se situata në Mitrovicë kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe angazhim të vazhdueshëm me popullsinë e atyre zonave. Ai tha se është i nevojshëm vazhdimi i konsultimeve dhe bashkëpunimit me të gjithë faktorët e rëndësishëm. Në këtë takim Kosova përfaqësohej nga ministri i jashtëm, Skënder Hyesni, i cili theksoi se vendi i tij kishte arritur suksese të rëndësishme gjatë vitit të kaluar si në arenën politike ashtu edhe në atë ekonomike. Ai theksoi vendosmërinë e qeverisë së Prishtinës për nxitur kthimin e refugjatëve, mbrojtjen dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës. Zoti Hyseni theksoi gatishmërinë e vendit të tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë.
Nga ana e tij presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, theksoi bashkëpunimin e vendit të tij me UNMIK-un dhe u shpreh me nota kritike ndaj qeverisë së Kosovës. Ai siguroi se Serbia nuk do ta njihte kurrë pavarësinë e Kosovës, pasi ajo ishte e paligjshme.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës e konsideroi këtë takim si tepër të suksesshëm, e në veçanti ai përgëzoi paraqitjen e denjë të shefit të diplomacisë kosovare. Politikanë dhe analistë politikë në Prishtinë, e cilësojnë si të pamundur idenë e presidentit serb për bisedime shtesë mes Serbisë dhe Kosovës, për të cilën gjë foli gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Haiti, përfundojnë operacionet e kërkimit për të mbijetuar
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se qeveria në Haiti ka deklaruar se operacionet e kërkimit për të mbijetuar kanë përfunduar, 11 ditë pas tërmetit që shkatërroi vendin. Autoritete të OKB-së thanë se 132 vetë janë nxjerrë të gjallë nga gërmadhat, dy të fundit të premten. Përpjekja kryesore do të drejtohet tani në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar të vendit. Disa tenda gjigante janë ngritur në disa zona të kryeqytetit, Port au Prince. Më herët, disa artistë të famshëm në botë morën pjesë në një aktivitet për mbledhje fondesh për viktimat. Shfaqja e titulluar “Shpresë për Haitin” u drejtua nga aktori amerikan Xhorxh Kluni, i cili tha se haitianët kishin nevojë të dinin se nuk ishin vetëm.
Bajden viziton Bagdadin, tentativa për pajtim
Zëvendëspresdienti amerikan, Xho Bajden vizitoi Bagdadin me shpresën se do të arrinte të ndërmjetësonte për pajtimin e palëve, të cilat këncënojnë sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Mars. Bajden zhvilloi bisedime me udhëheqës të lartë irakianë dhe të OKB-së, pasi më shumë se 500 kandidatë, midis tyre disa sunitë të njohur, janë skualifikuar nga listat pas dyshimeve se janë besnikë të partisë Bath të nxjerrë jashtë ligjit, ish-parti e Sadam Huseinit. Shumica e shiitëve që dominojnë qeverinë janë kundër rehabilitimit të ish-bathistëve. Ndërsa vizita e zotit Bajden mund të mos sjellë rezultate të dukshme, ai do të bëjë të qartë dëshirën e Uashingtonit që zgjedhjet të sjellin pajtim kombëtar, kështu që trupat amerikane të fillojnë tërheqjen në një situatë të qëndrueshme në vend.
Athina: Nuk tërhiqemi nga kontesti i emrit
Përfaqësuesi i diplomacisë greke, Dimitris Drucas ka deklaruar se Athina nuk do të tërhiqet nga procesi i zgjidhjes së kontestit të emrit me Maqedoninë. Duke folur para komitetit për politikën e jashtme në Kuvendin grek, Drucas ka theksuar se Greqia është e gatshme të mbaje kontakte të drejtpërdrejta me Shkupin. “Nuk do t’i braktisim negociatat në OKB, por do të vazhdojmë edhe me kontakte të drejtpërdrejta me vendin fqinj”, ka pohuar Drucas.
Ai ka shtuar me tej se Greqia është nën presionin e vazhdueshëm të BE-së për të gjetur sa më parë një zgjidhje të çështjes, nëpërmjet bashkëpunimit me Shkupin.
25 Janar 2010