SHBA: SHIK-u i PDK-së financohet me para të paligjshme
Në një raport të rëndësishëm nga Uashingtoni hidhen akuza për funksionimin e strukturës paralele të shërbimit sekret, SHIK, që varet nga Partia Demokratike e Kosovës. Deklarata publike e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, se kjo strukturë e krijuar nga PDK-ja ka pushuar së funksionuari në prill të 2008-s, kontestohet në raportin e Komitetit Kombëtar të Politikës së Jashtme Amerikane. Në raportin e këtij komiteti, i cili është publikuar së fundmi, është theksuar se kjo strukturë edhe më tej është funksionale dhe si e tillë ajo përfiton miliona euro gjatë vitit, duke abuzuar qytetarët. “SHIK-u është strukturë e inteligjencës nëntokësore të PDK-së dhe brenda vitit merr 200 milionë dollarë nëpërmjet ryshfetit, grabitjeve dhe shantazhit. Kjo strukturë është një lidhje kriminale mes shqiptarëve dhe bandave serbe, si dhe rrjete të tjera kriminale transnacionale”, thuhet në raport. Aty theksohetse për shuarjen e kësaj strukture mungon vullneti politik shtetëror. “Në Kosovë jo vetëm që mungon gjyqësori, por mungon edhe vullneti politik për të trajtuar sektorin joformal, për të cilin ka mungesë të legjislacionit për hetimin e krimit të organizuar”, theksohet në raport. Kjo është mbështetur në faktin se institucionet e Kosovës ende nuk e kanë nxjerrë ligjin antimafia, i cili do ta parandalonte këtë fenomen. “Kosova nuk ka një ligj antimafia ose një ligj që rregullon konfiskimin e aseteve kriminale, si dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Këto dispozita aktualisht janë joekzistente”, theksohet në raport, ku është përmendur edhe trafikimi i qenieve njerëzore. Ndërkohë, zyrtarët e PDK-së nuk kanë dashur të komentonin për vlerësimin e paraqitur në këtë raport. Dy nënkryetarët e kësaj partie, zv.kryeministri Hajredin Kuçi, si dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Punëve të Brendshme dhe Sigurisë, Rrustem Mustafa, kanë deklaruar se nuk e kanë parë raportin dhe nuk mund të japin komente. Por deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDD-së, Gani Geci, i cili njëherësh është kryetar i Komisionit Parlamentar të Inteligjencës, ka deklaruar se ky raport vetëm se i ka forcuar dyshimet se SHIK-u vazhdon të jetë funksional.
#