Shqipëria i ka përmbushur kushtet, ‘vizat’ janë të merituara

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule
Propozimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, është konsideruar nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, si vendimi më i drejtë, për një vend që ka përmbushur kushtet për të përfituar heqjen e vizave. Fule deklaroi se vendimi do të merret në vjeshtë nga Këshilli i Ministrave të BE dhe nga parlamenti Evropian. “Politika e vizave është një instrument shumë i rëndësishëm i BE-së, një shtyllë e politikës për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina kanë bërë përpjekje të mëdha, për të përmbushur kushtet. Por ka edhe kushte të tjera, të cilat mund të përmbusheshin së shpejti. Këto janë forcimi i drejtësisë dhe i policisë në të dy vendet si dhe lufta e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përveç kësaj Shqipëria duhet të paraqesë një strategji për riatdhesimin e refugjatëve shqiptarë. Bosnjë-Hercegovia duhet të kujdeset që ligji nacional të funksionojë në të gjitha pjesët e vendit. Në verë komisioni i BE-së do të shqyrtojë edhe një herë arritjet, që të dyja këto vende kanë bërë në këto drejtime”- deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.
Komisioneri Fyle theksoi se ky propozim për udhëtime pa viza është me rëndësi shumë të madhe për qytetarët e këtyre vendeve, sepse në këtë mënyrë ata afrohen me BE-në.
“Heqja e detyrimit për vizë do të kontribuojë që Evropa të konkretizohet si perspektivë. Ashtu si komisarja Malmstrom edhe unë besoj se autoritetet përkatëse në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë së shpejti do të plotësojnë kushtet, që nuk janë plotësuar akoma dhe do të kujdesen për zbatimin e rregullave”- vuri në dukje ai.
Komisioni Evropian propozoi dje që qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnje-Hercegovinës të udhëtojnë pa viza, me pasaporta biometrike në vendet e “Schengenit”.
Që propozimi të vihet në jetë, duhet të plotësohen disa kushte nga autoritetet shqiptare, kushte të cilat janë bërë të ditura dhe lidhen kryesisht me luftën kundër korrupsionit, zbatimin e ligjit anti mafia dhe riatdhesimin e refugjatëve shqiptarë.