E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Sarah Pelin nën akuza të reja

 

Reputacioni i guvernatores së Alaskës, e zgjedhur si kandidate për zëvendës-presidente nga republikani Xhon Mekein, Sarah Pelin, po lëkundet sa drejt famës e suksesit, aq edhe rrezikut të dështimit për shkak të “falsitetit” të imazhit të saj. Demokratët pretendojnë se akuzat rreth imazhit fals të Pelin nuk ndalen vetëm për sa i përket familjes ideale, por edhe mbrojtjes së të drejtave të grave. Partia Demokrate në SHBA ka mbledhur një grup hetuesish për të shqyrtuar disa fakte mbi të kaluarën e Pelin, në kohën kur ajo ishte kryebashkiake në qytetin Vasilla, në Alaskë. Ish-parlamentari demokrat i Alaskës, Erik Kroft dhe ish-guvernatori Toni Knouls, pretendojnë se ekzistojnë fakte që tregojnë se Sarah Pelin i detyronte gratë e dhunuara të bënin pagesën e shpenzimeve të testeve të ADN-së. Akuza është një bombë në duart e demokratëve, që mund të hedhë në erë të gjithë guaskën e Sarah Pelin dhe suksesin e menjëhershëm që i dha ajo kandidatit republikan, Xhon Mekein. Nëse këto akuza arrijnë të vërtetohen, kandidatja për zëvendës-presidente, që ka dalë gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të grave, do ta ketë shumë të vështirë të rindërtojë reputacionin e saj. Megjithëse shihet si imazhi model për të ndjekur nga shumë femra në botë, Pelin rrezikon seriozisht kësaj radhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›