SHBA, Senati miraton Klinton si Sekretare të Shtetit

Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar kandidaturën e Hilari Klintonit në postin e Sekretares amerikane të Shtetit. Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë ka votuar me 16 vota pro dhe një kundër, në favor të ish-zonjës së parë amerikane, senatores së Nju Jorkut Klinton. Senati do të konfirmojë emërimin e Klinton në një sesion të shkurtër ditën e martë, menjëherë pas inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan Barak Obama. Para pak ditësh, Hilari Klinton dha dëshminë e saj përpara këtij komisioni për prioritetet e sektorit të politikës së jashtme të administratës së Obamës. Klinton ka deklaruar se politika e jashtme e SHBA-së do të bazohet në pragmatizëm dhe jo në idealizëm. Ndërkohë që Komisioni i Jashtëm i senatit amerikanv ka dëgjuar edhe dëshmitë e së emëruarës për postin e ambasadores amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Suzan Rajs. Një seancë tjetër dëgjimore është zhvilluar për të emëruarin e Obamës në postin e prokurorit të përgjithshëm, Erik Holder. Në fjalën e tij hapëse, Holder deklaroi se lufta kundër terrorizmit mbetet një përparësi kryesore për Departamentin e Drejtësisë. Gjithashtu, Holder u shpreh se beson që teknika e debatueshme e marrjes në pyetje, simulimi i mbytjes përbën torturë dhe nuk nuk duhet lejuar të përdoret.