E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sever: Serbia, ose BE-në ose Kosovën

Analisti i çështjeve ballkanike Daniel Server ka deklaruar se SHBA-ja dhe BE-ja nuk duhet të mbajnë nën tutelë Kosovën dhe Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi në të kundërt vendet anëtare të BE-së do ta bllokojnë anëtarësimin e saj në BE. Sipas tij Kosovës nuk i është dhënë shansi për të qeverisur sepse shqiptarët kanë qënë për një kohë të gjatë nën tutelën ndërkombëtare dhe nuk kanë patur shumë mundësi që të bëjnë gabimet e tyre. "Ndërkombëtarët duhet disi të tërhiqen, gjë që megjithëse nuk do ta përmirësonte menjëherë gjendjen, do t'u jepte rastin shqiptarëve të bënin gabimet e tyre dhe të fillonin të mësonin se kur bën gabime nuk rizgjidhesh. Ky është është një mësim i rëndësishëm", u shpreh Server. Në një intervistë për VOA-n analisti u shpreh se BE-ja duhet të shprehet më qartë, se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, në qoftë se në një farë forme, nuk e pranon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Fakti që 22 vende anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet të shërbejë si shembull për të kuptuar se mjafton një prej tyre që të ushtrojë pushtetin e vetos për të bllokuar pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Sa u përket Shteteve të Bashkuara Server deklaron se ato duhet të angazhohen plotësisht në këtë situatë. "Dihet mirë se Ballkani është mbështetur vazhdimisht tek udhëheqja amerikane. Megjithëse do të doja të shikoja që më shumë përgjegjësi të merreshin përsipër nga Bashkimi Evropian, vendosmëria amerikane është e domosdoshme jo vetëm për Kosovën, në këto momente, por edhe për Bosnjçn dhe demokratizimin e Serbisë", shpjegoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›