SHBA: Shfrytëzojeni këtë rast të jashtëzakonshëm

Në një kohë kur sipas deklarimeve në Beograd marrëveshja e shumë pritur nga Brukseli dhe Washingtoni nuk do të nënshkruhet kësaj jave midis Kosovës dhe Serbisë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen që u ka dërguar palëve javën e kaluar që të shfrytëzojnë këtë rast të jashtëzakonshëm që ju hapë shtigjet drejt integrimit evropian.
Këto komente i bëri në Washington zëvendës-zëdhënësi i ri i Departamentit të Shtetit Patrick Ventrell. Zëdhënësja që nga koha e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, Victoria Nuland, u largua ditë më parë nga ky post, pas shërbimit në detyrë për katër vjet.
Në Departamentin e Shtetin thanë se ishin të vetëdijshëm për komentet për dhe kundër marrëveshjes derisa po pritet konkludimi i rrjedhës së negociatave.
“E di se ka një afat që po afrohet, mirëpo kryesore është se ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë këtë rast të jashtëzakonshëm,” tha zëvendës-zëdhënësi Ventrell. Ai përkujtoi se SHBA i kanë dhënë përkrahje të madhe udhëheqjes së bisedimeve nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Zonja Ashton, transmeton RTK.
“Ju e dini se ne kemi këtu në këtë ndërtesë (Departmentin e Shtetit) njerëz që kanë ndihmuar aty ku munden dhe që vazhdojnë ta mbështesin dialogun. Mirëpo sot nuk kam çfarë t’u them tjetër veçse ne vazhdojmë t’i inkurajojmë ata që të shfrytëzojnë këtë rast”, tha zëvendëszëdhënësi i Departmentit të Shtetit, Patrick Ventrell./Indeksonline/