SHBA/ Sotomajor përfundon seancat për kandidaturën në Gj. e Lartë
Gjykatësja amerikane Sonia Sotomajor përfundoi seancat para Komisionit Juridik të Senatit që po shqyrton kandidaturën e saj për Gjykatën e Lartë, propozuar nga presidenti Barrack Obama. Sotomajor u përball gjatë ditës së enjte me pyetje të vështira, por edhe u vlerësua nga kritikët republikanë: këta të fundit që e kanë kritikuar ashpër gjykatësen për komentet e saj në disa fjalime i përsëritën shqetësimet e tyre ndërsa merrnin në pyetje kandidaten. Senatori Xhon Kornin tha se akoma mbeteshin paqartësi për pikëpamjet e Sonia Sotomajor për ligjin si edhe pikëpamjen e saj për rolin që përvoja dhe besimet personale luajnë në procesin gjyqësor. E pyetur nga Kornin për kontradiktën që bie në sy mes komenteve të saj të kaluara dhe dëshmisë para komisionit, zonja Sotomajor përsëriti "besnikërinë e saj ndaj ligjit". "Mënyra sesi kam gjykuar dhe vepruar në të kaluarën tregon se çfarë personi jam, çfarë besoj, si edhe gjykimin dhe opinioni tim se ligji është themeli i sistemit tonë të drejtësisë"", tha ajo. Gjatë gjithë seancave të kësaj jave, Sotomajor vazhdimisht shmangu dhënien e opinioneve për çështje ligjore dhe kushtetuese duke thënë se një gjë e tillë do të përbënte paragjykim të çështjeve që mund të marrë në konsideratë Gjykata e Lartë. Sotomajor, që nëse konfirmohet do të jetë e para anëtare hispanike e Gjykatës së Lartë tha se do të donte që hynte në histori si një gjykatëse e drejtë, një njeri i përkujdesur dhe dikush që i shërbeu vendit të vet. Kryetari i Komisionit, Senatori Patrik Lihi e vlerësoi Sonia Sotomajor për përgjigjet e saj me "zgjuarsi, fisnikëri dhe durim" gjatë seancave të gjata.