SHBA/ Trump rikonfirmon qëndrimin për zgjedhjet! Mohon sulmin seksual ndaj ish-gazetares dhe minimizon dhunën e 6 janarit

Fushata presidenciale e vitit 2024 në SHBA sapo ka filluar, por ish-presidenti Donald Trump e bëri të qartë se oferta e tij e tretë për Shtëpinë e Bardhë do të jetë si dy të parat. Në një debat në shtetin Nju Hampshër të organizuar nga CNN, ish-presidenti Donald Trump minimizoi dhunën e 6 janarit 2021, refuzoi të shprehet qartë për luftën në Ukrainë, ndërsa nuk hezitoi as të sfidonte përfundimin e jurisë këtë javë se ai ishte përgjegjës për abuzim seksual ndaj ish-gazetares E. Jean Carroll.
Pak më shumë se 24 orë pasi një juria e gjeti Trumpin përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj shkrimtares E. Jean Carroll, por ish-presidenti mohoi akuzat, teksa u shpreh përsëri se nuk e kishte takuar kurrë Carroll.
“Këtë grua, nuk e njoh. Nuk e kam takuar kurrë. Nuk e kam idenë se kush është ajo”, tha Trump.
Po ashtu, Trump ishte i paqartë për ndalimin federal të abortit. Ai shpalli vendimin e Gjykatës së Lartë vitin e kaluar për të përmbysur të drejtat federale të abortit “një fitore kaq të madhe” të mundësuar, sipas tij, nga emërimi i tre gjyqtarëve konservatorë. Por Trump njohu gjithashtu ndarjet brenda Partisë Republikane nëse duhet të vendoset një ndalim federal i abortit dhe cilat duhet të jenë kushtet e një ndalimi të tillë. Demokratët kanë fituar referendume mbarëkombëtare, gara gjyqësore dhe më shumë, ndërsa kanë theksuar mbështetjen e tyre për të drejtat e abortit pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Trump tha se ai mbështet përjashtimet nga ndalimi i abortit për rastet e përdhunimit, incestit dhe kur jeta e nënës kërcënohet.
“Tani kemi një aftësi të madhe negociuese dhe mendoj se do të jemi në gjendje të bëjmë diçka”, tha Trump.
I paqartë Trump u shpreh edhe në lidhje me luftën në Ukrainë, ku refuzoi të thoshte nëse donte që Kievi të fitonte në luftën e saj me Rusinë pushtuese.
“Unë nuk mendoj në aspektin e fitores dhe humbjes. Unë mendoj në aspektin e zgjidhjes së situatës, kështu që ne të ndalojmë vrasjen e gjithë këtyre njerëzve“, tha Trump.
Trump nuk tregoi asnjë pendim për rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA. I pyetur në lidhje me pretendimet e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence se veprimet e Trump vunë në rrezik jetën e familjes së tij, Trump tha se ai nuk i detyrohet Pence një falje.
Trump tha gjithashtu se ai ishte “i prirur të falte” shumë nga protestuesit pro-Trump, të cilët u dënuan për rolet e tyre në sulmin në Kapitol.
/rtsh.al/