E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-Turqi bisedime per Iranin e Sirine

Presidenti amerikan Barack Obama ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin turk Recep Tayip Erdogan, me të cilin ka diskutuar për një seri cështjesh në fushën e sigurisë.

Sipas mediave ndërkombëtare, në qendër të bisedimeve kanë qenë zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, në vecanti në Iran dhe në Siri.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë shprehur të gatshme të mbështesin kërkesat legjitime për demokraci të shprehura nga populli sirian dhe kanë dënuar sërish regjimin e Assad.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë amerikanë që kanë ruajtur anonimatin kanë akuzuar Iranin se furnizon me armë regjimin sirian, për ta ndihmuar në shtypjen e protestave popullore.

Sipas zyrtarëve, gjenerali iranian Qassem Soleimani, komandant i trupave elitë të Gardës Revolucionare, ishte këtë muaj në kryeqytetin sirian, Damask.

Këtë vizitë, funksionarët e Shteteve të Bashkuara e shohin si shenjën më konkrete për ndihmën që Teherani po i jep Sirisë në formën e materialit ushtarak.

Biseda u zhvillua pak ditë pas vizitës që kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, zhvilloi në Ankara, të cilën ekspertët e cilësuan si një përpjekje diplomatike për të gjetur aleatë.

Aktualisht, si Teherani ashtu edhe Damasku akuzojnë Uashingtonin, i pari për vrasjen e një shkencëtari të lëndëve bërthamore dhe i dyti për nxitje të protestave kundër regjimit sirian.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›