E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet gara për kreun e ri të PD. Berisha: Do të zgjidhet sipas parimit “një anëtar - një votë”

28-06-2013 / Gazeta 55

Kreu i PD: Lidershipi i ri do ketë trashëgiminë më të mirë të Partisë Demokratike 



“Brenda një jave kandidatët duhet të paraqesin kërkesën e tyre për këtë post dhe më pas do të nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri, përmes votave të anëtarësisë”



UPDATE- Partia Demokratike ka mbledhur sot kryesinë për zgjedhjen e lidershipit të ri të ri të kësaj force politike. Në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha theksoi se humbja e zgjedhjeve të 23 qershorit kërkon një fillim të ri e të fuqishëm për PD-në, Berisha tha se mënyra më e mirë për zgjedhjen e lidershipit të ri është parimi një anëtar një votë. “PD ka pësuar një humbje dhe ajo ka jetik një fillim të ri të fuqishëm. Është në detyrimin tonë më madhor moral, t’i japim asaj mbështetjen totale për fillimin e saj të ri më të fuqishëm që ka patur ndonjëherë. Një fillim i ri do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Kemi detyrën kryesore, imediate, të hapim procedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Ai ka fatin që të ketë në shpinë trashëgiminë e mirë të PD-së. Të ketë vizionin e saj, projektin e saj. Në këtë kontekst ai duhet të zgjidhet sipas parimit një anëtar - një votë. Të gjithë anëtarët e PD-së ta konsiderojnë këtë proces si një mision jetik për fillimin e ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të PD-së”- deklaroi Berisha.


Ai tha PD nuk kërkon "koka turku", ndërsa tha se lidershipi i ri do të bëjë të gjitha analizat e humbjes së 23 qershorit. “Lidershipi i ri do të bëjë të gjitha analizat e kësaj humbjeje, e cila është serioze, shumëplanëshe, e cila nuk do të kalojë pa një analizë. Ne nuk jemi parti e filozofisë së gjahut. Ne rrafshin njerëzor ai që humbet ndjehet njeriu më fatkeq. Ai ka bërë gjithçka për të fituar, humbi nuk është mirë, por ne nuk bëjmë gjah kurrë. E kemi këtë punën si popull, duam koka turku, por nuk jam unë. Kjo është staliniste. Ne bëjmë analizat” – tha Berisha. Sipas Berishës, nuk është e nevojshme që kryesia aktuale të japë dorëheqjen, pasi lidershipi i ri do të zgjedhë edhe kryesinë e re të PD-së. “Kryesia mund të jepte dorëheqjen, nuk ja këshilloj. Lidershipi i ri do të zgjedhë kryesinë e vet. Dha dorëheqjen kryetari. Në këtë mënyrë ecim të sigurt drejt një fillimi të ri të fuqishëm. Nëse unë do të doja të shënjoja pasardhësin ai do dilte. Unë nuk do ta bëj këtë, do ta le një garë të hapur. Cilido le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht të pranojë garën”- tha Berisha. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha u ndal përpara gazetarëve ku hodhi poshtë çdo mundësi për përçarje të PD-së, ndërsa shtoi se PD del më e fuqishme, sidomos tani që PD lë historinë dhe mbështetet në trashëgiminë.


Prononcim i kryeministrit Berisha pas mbledhjes së kryesisë:
"Ishte për të hapur procedurën për një fillim të ri të suksesshëm dhe të fuqishëm të Partisë Demokratike. Procedura si një proces është kompleks, por natyrisht në epiqendër është zgjedhja e lidershipit të ri. Lidershipi i ri do të zgjidhet nga anëtarësia, nuk e gjykova me vend që unë të bëja një rekomandim, çka unë mund ta bëja, por ja lash në dorë, anëtarësisë së Partisë Demokratike. Ka të drejtë të paraqesë dokumentet deri ditën e enjte çdo anëtar i Partisë Demokratike në mbarë vendin".

Pra nuk do të kufizoheni vetëm tek Kryesia?
Kategorikisht. Partia Demokratike disponon dokumente të qarta të anëtarësisë. Do të ftohet e gjithë anëtarësia të votojë në bazë qarku, është një dakortësi e plotë që kandidatët do të pranojnë rezultatin dhe në këtë mënyrë në një kohë të shkurtër ne do të kemi një lider, apo grua, cili të jetë që do ta votojë partia, të ri, e pastaj ai të ketë të drejtë të zgjedhë kandidaturat për Këshillin Kombëtar të cilët votohen në Kuvendin e ardhshëm, edhe ky është Kuvend ku merr pjesë e gjithë anëtarësia. Është e parashikuar në statut. Kuvendi tjetër do të jetë me të deleguar, Kuvendi me të deleguar do të zgjedhë Këshillin Kombëtar, Këshilli Kombëtar do të zgjedhë Kryesinë. Natyrisht të gjitha këto formatime do të kenë pa diskutim vullnetin e kryetarit, i cili është shef ekzekutiv i partisë, vullnetin e Këshillit Kombëtar që është Parlamenti i Partisë.

Z. Berisha, duke çuar në garë kandidatët kushdo qofshin ata a mendoni se përçahet Partia Demokratike?
Jo, përkundrazi. Mendoj që Partia Demokratike del shumë e fuqishme sepse sidomos tani, që Partia Demokratike lë historinë dhe ruan trashëgiminë, tani duhet ta kenë me rrënjë të thella liderin dhe të zgjedhë një lider ku e mbështesin të gjithë.

A u fol për emër?
Jo, absolutisht. Asnjë emër. Ju garantoj, as edhe një emër. E hapur për çdo aktivist, anëtar, drejtues lokal të Partisë Demokratike.

Z.Kryeministër, ku gjendet garancia se do të pranohet rezultati?
Ata që s’pranojnë rezultatin nga kandidatët, ata kanë probleme me veten e tyre. Partia ka për detyrë t’u krijojë kushte të barabarta në gazetë, në përfaqësim e në çdo gjë. Unë kam besim.

Kur do të jenë këto zgjedhje z. Berisha?
Shpresoj që do të jetë fundi korrikut, fillimi i gushtit. Partia Demokratike nuk ka pushim, ka humbur tani do të punojë shumë.

A do të jetë problem n.q.s Kryetari i ri nuk do të jetë në Parlament?
Ai mund të jetë nga Gjirokastra në Tropojë, secili të votohet dhe nuk ka asnjë lloj kufizimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›