SHBA bashkëpunon, Shqipëria hesht për akuzat për rrëmbim e tortura të CIA-s
Një raport i publikuar sot nga dy organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, bën me dije se Shqipëria është një nga vendet evropiane që nuk ofron të dhëna e prova për rolin e saj në programin amerikan të rrëmbimit dhe torturimit të personave të dyshuar për terrorizëm. Lajmin e bën të ditur agjencia Balkan Insight.
Gjashtë vende evropiane, e madje edhe vetë Shtetet e Bashkuara, kanë ofruar informacionin e kërkuar, por 16 vende, përfshirë Shqipërinë dhe Rumaninë, nuk u janë përgjigjur pyetjeve për bashkëpunimin në operacionet e jashtëligjshme të CIA-s.
Organizatat Acces Info Europe dhe Reprive kishin kërkuar informacion për fluturimet e kryera në këto vende, ku dyshohet se janë realizuar rrëmbime dhe dorëzime personash.
Helen Darbshire, drejtoreshë ekzekutive e Acces Info Europë i tha Balkan Insight se nuk ka marrë një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil në Shqipëri.
Në një raport të vitit 2007, thuhet se Shqipëria është përfshirë në një rast të tillë. Bëhet fjalë për një qytetar gjerman me origjinë libaneze, të quajtur Khaled El Masri.
Ai pretendon se CIA e ka mbajtur të burgosur në Maqedoni në vitin 2004. Më pas ai u drogua, u rrah dhe u dërgua në Afganistan ku u mbajt në burg pa asnjë akuzë për 4 muaj.
Pasi CIA e kuptoi se kishte kapur njeriun e gabuar, e la atë në Shqipëri, ku El-Masri thotë se u lirua pa iu kërkuar falje.
Në raportin e KiE thuhet se El Masri fluturoi në një avion nga Kabuli më 24 maj 2004. Ai u dorëzua në bazën ushtarake të Kuçovës në Shqipëri. El-Masri erdhi në shtëpi pasi Maqedonia refuzoi ta merrte në dorëzim.
Megjithatë, Darbshire thotë se amerikanët u kanë dorëzuar një dosje gjigante me informacione. SHBA, që në njëfarë mënyrë janë djemtë e këqinj në këtë histori dhe që kanë qenë më shumë nën presion, na kanë dorëzuar një dosje gjigante për 27 mijë fluturime, që është si një minierë ari, thotë ajo.