SHBA braktis privatizimin

Përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA’së në Bordin e Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Bernadette Roberts, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.
Kjo është konfirmuar nga Ambasada e SHBA’së në Kosovë, përmes një përgjigje dhënë Gazetës Express, të hënën.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e shqetësuar në lidhje me udhëheqjen dhe drejtimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe nuk ndihet më në gjendje që të jap një kontribut pozitiv në punën e rëndësishme të agjencisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA’së.
“Është thelbësore që tani, pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, institucionet e Kosovës janë të udhëhequr nga individë të kualifikuar dhe kompetent të cilët mund të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente”.
Burime të Gazetës Express, brenda AKP’së, thonë se pakënaqësitë e amerikanëve lidhen me menaxhimin që po i bëhet kësaj agjencie nga ana e përfaqësuesve vendorë.
“Zonja Roberts ka dhënë dorëheqje pasi që Ambasada është e pakënaqur me punën e vendorëve, veçmas punën e Shefit të AKP’së, Blerim Rexhës. Pakënaqësitë lidhen me insistimet për të punësuar njerëz të afërt dhe përjashtuar të tjerë. Po ashtu, ata janë të indinjuar me mosgatishmërinë e z. Rexha për të marrë vendime për çështje madhore të privatizimit”, ka thënë një zyrtar i AKP’së, në kushte anonimiteti për Gazetën Express, të hënën./Indeksonline./