SHBA, demokratët mbështesin protestat

Grupe të caktuara politike në SHBA janë përfshirë në debatin mbi protestat e zhvilluara së fundmi para Wall Street dhe në qytete të ndryshme të Amerikës.
Grupi demokrat në Kongres njoftoi mbështetjen e tij për lëvizjen përmes një mesazhi të dërguar me email dhe Twitter.
Ndërsa grupi kundër taksave, Tea Party Express i quajti krahasimet mes tij dhe protestave si “fyese”.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, deklaroi se demonstruesit mund të qëndrojnë në qytet për sa kohë do të respektojnë ligjin.
Protestat kundër padrejtësisë dhe pabarazisë vazhduan përgjatë gjithë fundjavës në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.
Qindra persona u mblodhën në disa qendra për të protestuar kundër ndihmave financiare për bankat dhe ndaj shpërndarjes “jo të drejtë” të të ardhurave të SHBA.