SHBA, dënohet me 6 vjet burg Almir Rrapo

Dënohet me 6 vjet burg në SHBA, ish-zyrtari i ministrisë së jashtme Almir Rrapo. Mediat e huaja shkruajnë se Almir "Miri" Rrapo u kthye në tradhëtar pasi u ekstradua në Shtetet e Bashkuara për tu përballur me akuzat për një vrasje në Queens, rrëmbim të dhunshëm dhe vepra të tjera.
Drejtuesit e ish- bandës së tij, vëllezërit Bruno dhe Saimir Krasniqi, u dënuan me burgim të përjetshëm në SHBA, pas dëshmisë së Rapos, veprim i cili solli edhe uljen e dënimit për të. Avokati i tij mbrojtës, Jeffrey Lichtman e quajti 29 vjeçarin Rrapo "një shembull të shkëlqyer se si duhet të jetë një bashkëpunëtor", duke theksuar se "ai u distancua nga këta njerëz për shkak se i kishte ardhur në majë të hundës" dhe ndryshoi jetën e tij. "Betohem për Zotin, kam qenë në burg për dy vjet dhe nuk ndjej asgjë tjetër veçse neveri për degjenerimin dhe ligësinë që më rrethon mua çdo ditë," shtoi Rrapo.
Drejtësia amerikane e dënoi atë me 6 vjet, pasi ai pranoi të bashkëpunonte me autoritetet dhe raportoi për hollësitë e krimeve. Ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme në Tiranë u ekstradua në SHBA pas arrestimit në korrik 2011. Bruno e Sajmir Krasniqi u dënuan edhe për dy rrëmbime, veç akuzave të tjera. Në vitin 2003, anëtarët e organizatës "Krasniqi" kanë rrëmbyer një viktimë në Michigan dhe e kërcënuan atë se do ta vrisnin, sepse besonin se ai nuk kishte respektuar një nga anëtarët e tyre. Në korrik 2005, anëtarët e organizatës "Krasniqi" rrëmbyen dhe qëlluan një viktimë në Staten Island, si pjesë e një mosmarrëveshje me një bande droge shqiptare.
Dy vëllezërit Krasniqi ishin dënuar edhe për shpërndarje të më shumë se 100 kilogramë marijhuanë, grabitje, si dhe dy akuza të armëmbajtjes e përdorimit të armëve të zjarrit. 29-vjeçari Almir Rrapo u vetëshpall fajtor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pranuar shumicën e akuzave lidhur me veprimtarinë e tij kriminale në territorin e SHBA-së. Sipas mediave amerikane Rrapo ka pranuar se nga viti 2002 deri më 2010, ka qenë pjesëtar i një rrjeti trafiku droge, ka grabitur një shpërndarës marijuane, ka rrëmbyer dhe ka planifikuar vrasjen e një shpërndarësi droge, si dhe ka shitur armë.