Braçe: “Shpenzimet buxhetore janë ulur, arka e shtetit do të boshatiset më shumë”
Kriza e ekonomisë shqiptare pritet të vijë duke u përkeqësuar. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi dje se buxheti i shtetit është bosh dhe se do të vijë duke u boshatisur çdo ditë e më shumë. Në kushtet e një transparence të errët nga qeveria, Braçe bëri të ditur se shpenzimet buxhetore janë shkurtuar mbi 250 milionë USD. Sipas tij, shkurtimet do të përfshijnë si shpenzimet operative të funksioneve të shtetit, ashtu dhe shpenzimet kapitale të zhvillimit të vendit. “Dua të sjell në vëmendje se ky është shkurtimi i disatë që po u bëhet këtyre shpenzimeve jetike: Paratë në këto zëra, për vitin 2010, janë planifikuar që më herët më të ulëta se një vit më parë. Dua të paralajmëroj se gjendja do të përkeqësohet akoma më shumë! Paratë do të mungojnë akoma edhe më tepër”, - u shpreh Braçe. Deputeti Braçe solli në vëmendje të qeverisë një tjetër shqetësim madhor. Ai bëri me dije se disa zona të Shqipërisë janë bllokuar dhe po izolohen mes malesh e honesh të krijuara nga lëvizje të mëdha të tokës. Deputeti socialist tha se në katër komuna të Beratit, si në Vertop, Sinjë, Rroshnik, Lumas; në dy komuna të Kuçovës, si në Kozare, Perondi, gjenden sot 130 km rrugë rurale të bllokuara, në rrethin Berat; 31 km rrugë rurale të bllokuara në rrethin Kuçovë; 25 fshatra (Kapinovë, Peshtan, Drenovë, Lybeshe, Zgerbonjë, Tomorr i Madh/i Vogël, Rroshnik, Kolc, Qatollar, Karkanjoz, Memiaj, Leshnjë, Molisht, Levan, Osmenzeze, Plashnik, Paftan, Kamcisht, Belesovë, Mendrake, Luzaj, Krekez, Korritez, Pashtraj) të bllokuara plotësisht e pjesërisht në rrethin Berat; 6 fshatra (Goraj, Frashër, Drizë, Salcë-Kozare, Ferras, Zdravë) të bllokuara plotësisht e pjesërisht në rrethin Kuçovë. Dhe, siç bën të ditur Braçe, gjithsej janë në izolim të plotë apo të pjesshëm 10 400 banorë në rrethin Berat; 5800 banorë në rrethin Kuçovë, 10 shtëpi janë shkatërruar, duke u bërë të pa banueshme dhe rrezikojnë të shkatërrohen.
20 Shkurt 2010