E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë

Zv.ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons u prit sot nga presidenti Topi. Xhons siguroi kreun e shtetit se administrata e re e Presidentit Obama do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin dhe konsolidimin demokracisë në Shqipëri. 

TIRANE- Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons i shoqëruar edhe nga Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers u prit në një takim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Gjatë këtij takimi kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e përkryer mes dy vendeve tona duke theksuar bindjen se pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Shqipëria do të jetë aleate e denjë në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në botë.

Presidenti Topi nënvizoi besimin se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, do të jenë të lira, të ndershme e të pakontestuara në mënyrë që Shqipëria të japë një provë tjetër bindëse në drejtim të plotësimit të standardeve dhe përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar.
Nga ana e tij Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, e uroi kreun e shtetit dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për hyrjen e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Xhons e siguroi Presidentin Topi se administrata e re amerikane e Presidentit Obama do të vazhdojë të mbështesë palëkundje zhvillimin dhe konsolidimin demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipërisë duke vlerësuar rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe begatisë afatgjatë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›