E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Shqipëria do të rrisë kapacitetin për emergjencat civile

Në kuadrin e bashkëpunimit me bordet dhe komunitetet e planifikimit të emergjencave civile, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punëve Publike, kanë zhvilluar mbledhjen Plenare të Bordit të Planifikimit të Transportit Tokësor të Brendshëm. Në këtë takim u theksua se Shqipëria ka si qëllim të rrisë kapacitetin e saj për emergjencat civile kombëtare dhe për menaxhimin e fatkeqësive natyrore në bashkëpunim me NATO-n. Në këtë mbledhje morën pjesë 67 përfaqësues të 27 vendeve anëtare të NATO-s si dhe disa struktura ushtarake. Në këtë mbledhje u diskutua mbi bashkëpunimin praktik si dhe promovimin e marrëdhënieve ndëroperacionale, rajonale përsa i përket planifikimit të emergjencave civile si dhe rritjen e standardeve. Qëllimi i planifikimit të emergjencave civile në NATO është të koordinojë aktivitetet kombëtare të planifikimit për të siguruar përdorimin më efektiv të burimeve civile në mbështetjen e përbashkët të objektivave strategjike të Aleancës. Ndërkaq në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe kërkesave ndaj NATO-s sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, Florian Nuri tha se Ministria e Brendshme po harton një ligj, i cili ka si synim të fusë si koncept procesin e parandalimit të emergjencave. Planifikimi i emergjencave civile në NATO reflekton detyra themelore të sigurisë të Aleancës dhe konsiston në mbështetje nga strukturat civile të operacioneve ushtarake në përgjigje të krizave, me qëllim mbrojtjen e popullsisë nga fatkeqësitë natyrore dhe shkatërrimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›