Berat, kapet i kërkuari për dezertim, i dënuar me 4 muaj burg
Ishte dënuar me 4 muaj burg, prangoset i riu. Burime të së Beratit bëjnë të ditur se dje është vënë në pranga shtetasi Eduart Kanani, 22 vjeç, banor i qytetit të Beratit. Sipas organeve të policisë, të cilët kanë kryer një operacionin për kapjen e personave në kërkim, 22- vjeçari Kanani është dënuar nga gjykata e Vlorës me 4 muaj burg në datën 12 prill të këtij viti për veprën penale Dezertim nga ushtria.
Po sipas burimeve nga sektori i operacioneve speciale, Eduart Kanani i dënuar dhe më parë është marrë nga forcat e policisë për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak ndërsa ai në një moment ka përfituar dhe është larguar nga reparti ku u transferua. Pas kësaj, organet gjyqësore kanë dënuar në mungesë Kananin me 4 muaj burg në bazë të nenit 242 të kodit penal për dezertim. Policia ka bërë dje ndalimin e Kananit, i cili është shoqëruar për në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Beratit ku do të vuajë dënimin e caktuar nga gjykata e Vlorës.